SHKODER, 3 maj 2013– Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, u takua sot me të rinjtë që ju bashkuan Partisë Demokratike në qytetin e saj të lindjes, në Shkodër.
"Jo 100, jo 200, jo 1000, jo 1200, por plot 3088 të rinj e të reja të forumit rinor anëtarësohen dhe duhen bërë anëtarë të Partisë Demokratike. Gjëra të pabesueshme ndodhin në Shkodër", deklaroi Topalli.
Sipas saj, fitorja e 2005-ës dhe e 2009-ës erdhi nga të rinjtë, të cilët u shpërblyen ndërsa përmendi reformat në arsim, anëtarësimin e vendit në NATO e liberalizimin e vizave. Ajo vuri në dukje se mbështetja nuk do të mungoj as më 23 qershor, ku demokratët në Shkodër do të marrin 8 mandate.
"Ju bëni të mundur që në Shkodër, më 23 qershor ne nuk do të marrim 7 mandate, jo,jo. Më 23 qershor Shkodra do të japi 8 mandate. Në mënyrë që në mandatin e ardhshëm të Partisë Demokratike ne të marrim një rezultat spektakolar, siç e meriton Shqipëria dhe Partia Demokratike", u shpreh kryeparlamentarja.
Sipas saj, të rinjtë do të votojnë Partinë Demokratike jo për atë që ka bërë në 8 vjet, por atë që do të bëjë në mandatin e ardhshëm, më shumë shkolla, më shumë bursa, më shumë laboratorë e më shumë subvencione nga shteti.





