KUKES – Me ftesë të homologes bullgare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u nis dje për një vizitë zyrtare në Sofje nga ku do të kërkojë mbështetje për statusin e vendit kandidat si dhe do bisedojë për një shtysë të re të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Rrugës për në Bullgari, Topalli ndaloi në rrugën Durrës-Kukës, ku bëri edhe një foto të cilën e postoi në rrjetin social të Facebook-ut me një koment përkatës.
“Njëlloj mahnitem, si herën e parë kur kaloj nga rruga e kombit. Ky është bashkimi fizik me Kosovën. Dhe të mendosh se kjo rrugë, që lëvizi malet është bërë në një kohë rekord. Vetëm Kryeministri Berisha guxon e bën realitet projekte si kjo mrekulli, që i jep zhvillim edhe zonave më të braktisura të vendit dhe bashkon kombin. Kujtoj se vetëm pak vite më parë kur shkoja për punë partie në Kukës duheshin 8 orë për të arritur. Sot, në më pak orë do të jem në Sofje, ku do të kem një vizitë zyrtare”, – tha Topalli.