Kreu i FRD-së, Bamir Topi, mori pjesë në hapjen e degës së kësaj partie në Athinë. I pritur nga disa qindra emigrantë, zoti Topi shpalosi atë që e quan platformën prezantuese të FRD-së në emigracion.
Ai i njohu emigrantët me qëndrimet e kësaj partie për një sërë çështjesh që shqetësojnë politikën shqiptare dhe emigrantët e tha se qeveria dështoi me strategjinë e saj për emigracionin. Sipas Topit, disa njerëz të varfër në Shqipëri dështuan në çështjet e emigracionit, edhe pse fillimisht ishte menduar krijimi i një ministrie të posaçme për emigracionin, asgjë nuk u bë në këtë drejtim.
Ish-presidenti premtoi politika të posaçme për emigrantët nëse kjo parti fiton zgjedhjet e ardhshme e u zotua të krijojë kushtet për punësimin e fëmijëve të emigrantëve që studiojnë jashtë shtetit. Në vazhdim, zoti Topi bashkëbisedoi me emigrantët duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me strategjinë e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme dhe politikat e saj për ekonominë, emigracionin, arsimin etj.
“Është një moment i rëndësishëm i organizimit të FRD-së sepse kjo parti në programin e saj merr parasysh të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është një emocion i veçantë që takohem me bashkëatdhetarët e mi, por edhe një detyrim në të njëjtën kohë”, u shpreh Bamir Topi.