TIRANE, 14 qershor 2013 – I ftuar në emisionin "Natë me Xhaxhiun", kreu i FRD, Bamir Topi ka folur mbi situatën para zgjedhore, mbi ndikimin e ndërkombëtarëve në zgjedhje dhe me pozicionimin e FRD-së pas “23 Qershorit”.
Topi është shprehur se nuk duhet të ndikohemi nga opinionet e ndërkombëtarëve.
“Palët kanë nisur fushatën muaj më parë. Kemi parë se si liderët e ‘vjetër’ janë të lodhur dhe si kanë bërë llogaritë si duhet. Ndonëse njeri ka më shumë eksperiencë dhe tjetri më pak, besoj se politika është garë. Debatet politike vazhdojnë. Kam eksperiencën e kaluar, për të ardhur të ndërkombëtarët ‘a duhet të flasim troç apo jo’. Shqiptarët nuk duhet të varen nga ajo që do thonë ndërkombëtarët. Ata kanë qenë të dobishëm ,por ajo që kam arritur të kuptoj, duke ndjekur trajektoren politike, është se gjithnjë pas një pale zgjedhjesh është lindur nevoja e reformimit të kodit. Kjo tregon se kodi ska qenë në standardë. Gjithnjë mesazhet e ndërkombëtarëve janë ekuilibruese, duke përqendruar vëmendjen tek standardet. Me kalimin e kohës, politikat sofistikohen. Ndonjëherë diplomatët është vështirë ti kuptosh, por besoj se ka një dozë të së vërtetës edhe ata janë lodhur. Imuniteti fitohet ose duke e kaluar një sëmundje, ose duke u vaksinuar. Kur ky trup nuk është i gatshëm të reagoje merr serum. Ky organizëm është mësuar të marrë serum, duke patur idenë që jemi ndërvarur nga ndërkombëtarë nuk reagon dot. Ne kemi një program të detajuar. Ky vend ka nevojë të diskutojë çështje që kanë lidhje me bazën e një vendi., siç është demokracia, shteti ligjor dhe më pas të diskutojë për ekonominë dhe çështjen e pronës.”
Mbi rotacionin politik kreu i FRD është shprehur se nuk kërkon një rotacion të thjeshtë politik, por elitash, nevojitet një parlament si i viteve 30-të me njerëz të shkolluar e të edukuar.
“Do thosha jo rotacion të thjeshtë politik, po elitë, jo një parlament me njerëz mediokër, me frymë autoritarizmi e kanë partitë, me njerëz që nuk kanë lexuar një libër. Kemi nevojë të shkojmë në standardin e parlamentit të viteve ’30, me njerëz të shkolluar dhe të edukuar. FRD ka një shtrirje në të gjithë territorin kombëtarë, madje dhe në vende fqinje ku ka emigrantë shqiptarë. Të gjitha lëvizjet që bën i ashtuquajturi kundërshtari politik i bën në funksion të prezencës time. Dhe në këtë mënyrë faktori dominant bëhem unë”.
Duke folur për qëndrimin ndaj PD dhe arsyet pse mendon që FRD është e djathta e vërtetë, kritikon lidhjet sipas tij pragmatiste me deputetët e majtë. Me këta deputetë po shkon për të konkurruar me ekipin e ri në zgjedhjet e 2013. Është mbyllja e një cikli që ka nisur që prej 1992. Çfarë është thënë në traktatin e Katovicës është implementuar sot në Shqipëri.
Topi kritikoi qëndrimin ndaj çështjes së dëmshpërblimit te ish-te përndjekurve por edhe pronës që sipas tij është substanciale për ekonominë shqiptare. Ka një lloj kontradiksioni të thellë-shprehet topi, duke theksuar se:
“Qeveria del dhe mendon vetëm sot për nesër. Çdo projekt duhet të jetë pjesë e një procesi integral. Ka mjaft figura për të ‘zhbërë’ mungesën e pluralitetit brenda partive. Besoj që media duhet të eksplorojë në këtë drejtim, duhet të mos shkojë vetëm pas zërit të liderit. Janë shumë primitive, janë jashtëzakonisht primitive. TVSH-ja nuk e ka transmetuar asnjëherë FRD-në qe kur jemi themeluar. Kjo tregon që urdhri ka qenë i prerë dhe urdhri terrorizon” u shpreh kreu i FRD, Bamir Topi.
Përsa i përket pozicionit që FRD do të mbajë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, Bamir Topi nuk ka dhënë një përgjigje të prerë mbi pozicionimin e partisë së tij.
“Objektivi ynë për këto zgjedhje është të kemi grupin tonë Parlamentar. Nëse FRD do ketë grupin e saj Parlamentar do jetë ekuivalente në zgjedhjen e saj.Nëse nga qeveria nuk plotësohen pjesë nga programi ynë, ne mund të zgjedhim të qëndrojmë në opozitë.”





