TIRANE – Fryma e Re Demokratike ka finalizuar shpërndarjen e saj në rrethe me zyrtarizimin e degës së Tiranës. Kreu i FRD-së, Bamir Topi, tha se sot fillon një cikël i ri për një rilindje të vërtetë qytetare, një mision që sipas tij, do të bashkojë të gjithë shqiptarët.

Topi tha se sot Shqipëria gjendet përballë sfidave të mëdha, dhe se FRD-ja është për t’u përballur me zgjidhjen e tyre, dhe jo për të gjetur alibi të dështimit tek kundërshtarët.

“Shqipëria ka nevojë për integrim të shpejtë, përmes reformave të thellë, dhe jo me modele të vjetra, s’ka nevojë për individë me formim stalinist”,- tha ish presidenti duke iur referuar kryeministrit, Sali Berisha.

Topi theksoi se qeveria e sotme e ka humbur sensin e masës dhe qytetarinë, dhe se ajo nuk ka asgjë për të ofruar, madje eshte kthyer ne nje rrezik per qytetaret. Kreu i FRD-së në fjalën e tij nuk i kurseu kritikat  edhe për opozitën.

Ndërkohë deputeti Gazmend Oketa tha se Fryma e Re Demokratike ka lindur për të ndryshuar realitetin e hidhur shqiptar.

“Koalicioni blu me pulla të kuqe ka dështuar,- tha Oketa,- pikërisht nga objektivi që edhe e solli këtë martesë, integrimi”. Ai tha se Shqipëria është një Republikë Parlamentare, por në realitet ne funksionojmë si një Republikë Kryeministrore.

Ai ftoi qytetarët që të mos rrinë por të duken, pasi sipas tij, tani është koha.