TIRANE, 23 prill 2013- Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi deklaroi se forca politike që drejton do të garojë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit, si një parti politike serioze që reformon sistemin aktual politik. 

Në një konferencë për media, zhvilluar të martën, Topi theksoi se misioni i FRD-së është reformimi i sistemit përfaqësues dhe qeverisës, mirëqeverisja e vendit, demokracia funksionale, forcimi i institucioneve, partneritet aktiv dhe i qëndrueshëm me miqtë ndërkombëtarë dhe nxjerrja e vendit nga kriza e gjithanshme politike dhe ekonomike.

"Këshilli i FRD-së vendosi në mënyrë unanime që partia jonë të mos bëjë asnjë koalicion parazgjedhor. Partitë e tjera, për interesa joparimore kanë injoruar vullnetin duke detyruar qytetarët të zgjedhin gjithnjë mes dy alternativave.Sot shqiptarët mund të kenë një tjetër alternativë që ofron garanci, siguri dhe kapacitet për një qeverisje shumë më të mirë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. FRD dëshmoi se është një parti e parimeve, në interes të qytetarëve, e cila nuk udhëhiqet nga interesa afatshkurtra, por ka një program afatgjatë", tha Topi.

Kreu i FRD-së, theksoi se synim ka qenë aleanca me qytetarët dhe ftesës për bashkëpunim i janë përgjigjur grupe të djathta, pronarë të ligjshëm, shtresë e mesme, elitë intelektuale, liberalë dhe konservatorë.

"FRD e mbajti premtimin për të zgjedhur vlerat dhe parimet mbi cdo ofertë tjetër, gjë që garanton pozicionimin e saj në një parti të vlerave", tha Topi.