DURRES, 16 maj 2013 – Drejtues të Frymës së Re Demokratike zhvilluan një takim zgjedhor me banorë të fshatrave Koxhas dhe Borakë të komunës Xhafzotaj, të cilët janë pjesë e qarkut të Durrësit.
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, gjatë prezantimit të kandidatit për deputet në këtë zonë, Astrit Hoxha, vlerësoi mbështetjen ndaj FRD-së dhe shprehu besimin se kjo forcë politike do të ketë rezultat surprizë në këtë qark.
“Ne vijmë tek ju në radhë të parë si qytetarë dhe miq, pasi vetë slogani ynë është për shtetin dhe qytetarët, ndaj jam i bindur se kjo zonë do të japë për ne një rezultat surprizë në zgjedhjet e 23-qershorit. Ju jeni pjesë e ekipit fitues të FRD-së, ndërkohë që kandidatët tanë Oketa, Gjergji dhe Hoxha kanë vlerat më të mira të qytetarisë”, tha Topi.
Më pas kryetari i FRD foli edhe për virtytet e banorëve të kësaj zone duke i vlerësuar atyre civilizimin që kanë treguar në bashkëjetesën me komunitetin boshnjak.
“Kur unë isha në postin e kryetarit të shtetit, nënvizoi z. Topi, gjatë takimeve me drejtuesit më të lartë të shtetit boshnjak, mburresha me harmoninë që ju karakterizonte me këtë komunitet”.
Duke u ndalur në koalicionet paszgjedhore, Topi theksoi se FRD ka pasur shumë oferta për bashkëpunim, madje i janë ofruar edhe karrige në parlament, “por FRD nuk ka pranuar, pasi aleanca ë saj është vetëm me qytetarin”.
“Ne nuk e mohojmë mundësinë për koalicione, por ato do të zhvillohen sipas kushteve tona, pasi do të arrijmë numrat e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë,” tha Topi.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, u shpreh se çështja e koalicioneve ka qenë e paravendosur në FRD, pasi qysh një vit më parë, kjo forcë politike pati deklaruar se aleanca e saj e vetme do të ishte ajo me qytetarët.
“Ne ju sigurojmë se në parlamentin e nesërm do të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz dhe kërkojmë votën tuaj për të ndërtuar një shtet për qytetarin”, tha Oketa.





