BALLSH, 15 mars 2013 – Në një takim me qytetarët mallakastriotë në Ballsh, kryetari i FRD-së, Bamir Topi, prezantoi programin politik të kësaj partie. Gjatë fjalës së tij Topi tha se “ky program përmban jo atë që mendojmë ne, por atë që ndjeni ju".
Zyra e shtypit e FRD-së bëri të ditur se “Kryetari i FRD-së u ndal në problematikat e zonës së Mallakastrës dhe tha se vëmendja e qeverisë është për të qarë hallin. Të vjen keq kur sheh një vend që ka rezerva nafte dhe burime të mëdha natyrore, të cilat jo vetën nuk përdoren për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve por padrejtësisht mohohen nga qeveria”.
Topi paraqiti zgjidhjen që ofron programi politik për taksat duke thënë se FRD do të aplikojë taksën relative të mbështetur mbi natyrat e bizneseve. Ndërkohë që biznesi afër familjes qeveritare lulëzon, – theksoi z. Topi – ai larg familjes kryeministrore gjobitet.
Nënkryetari Aleksandër Biberaj u tha pjesëmarrësve në takim se FRD nesër në parlament dhe qeveri do të punojë për mbrojtjen e interesave të shqiptareve të cilat janë nëpërkëmbur nga qeveria e sotme. Kupola drejtuese që ka pushtuar institucionet – tha ai – pas 23 qershorit do të dali para drejtësisë dhe jo në pension politik.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/