Vizita e Sir Keir Starmer në Kinë është historike jo vetëm për faktin se bëhet fjalë për kryeministrin e parë të Mbretërisë së Bashkuar që viziton vendin në fjalë në tetë vitet e fundit. Takimi i gjatë me presidentin e Kinës Xi Jinping të enjten ishte një hap i madh për Sir Keir Starmer, i cili është në kërkim të mundësive të reja ekonomike për vendin e tij.
Sipas disa medieve britanike për të thyer “akullin” me homologun e tij kinez, Starmer ka përdorur pikën e tij të dobët. Siç dihet Xi Jinping është tifoz i ekipit të Manchester United dhe Starmer i dërgoi si dhuratë topin origjinal të ndeshjes që “Djajtë e kuq” luajtën kundër Arsenal. Madje disa medie prestigjoze kanë informuar se dhurata ishte edhe më e çmuar për Xi-në pasi në të kishin firmosur të gjithë lojtarët e tij të preferuar.





