Në Zyrih të Zvicrës Lionel Messi fitoi për herë të pestë në karrierë Topin e Artë duke lënë pas në garën për futbollistin më të mirë të vitit Cristiano Ronaldo-n dhe brazilianin Neymar Jr. Votat e kapitenëve, trajnerëve të ekipeve përfaqësuese dhe gazetarëve të përzgjedhur nga e gjithë bota, kurorëzuan argjentinasin si numrin 1.

Menjëherë pasi shpalli Messi-n fitues të Topit të Artë, FIFA publikoi edhe listën sesi kanë votuar kapitenët, trajnerët dhe gazetarët. Për të gjithë shqiptarët përbën një interes të veçantë se cilat kanë qenë zgjedhjet e Lorik Canës dhe Gianni De Biasi-t. Kapiteni dhe trajneri i kombëtares kuqezi nuk kanë pasur të njëjtin mendim për sa i përket fituesit, me De Biasin që ka zgjedhur Messi-n dhe Lorikun që 5 pikë ia ka dhënë Cristiano Ronaldos. Cana ka votuar me 3 pikë argjentinasin dhe 1 pikë brazilianin Neymar, ndërsa italiani i stolit të Shqipërisë, 3 pikë ia ka dhënë Ronaldos ndërsa 1 pikë gjermanit Thomas Muller.

Si kapiten i Argjentinës vetë Lionel Messi ka votuar tre shokët e tij te Barcelona me Suarezin të parin, Neymarin të dytin dhe Andres Iniestën të tretin. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Cristiano Ronaldo që ka përzgjedhur si tre më të mirët e vitit Karim Benzemanë, James Rodriguezin dhe Gareth Bale. Nuk mund të bënte përjashtim as Neymar që si kapiten i Brazilit ka bërë të njëjtën gjë si Messi e Ronaldo, teksa ka votuar shokët e tij të skuadrës te Barcelona, Leon të parin, Suarez të dytin dhe Rakitic të tretin.