TIRANE, 29 korrik 2013 – FRD ka mbajtur sot një takim me kryetarët e degëve në rrethe, në selinë e saj në Tiranë. Kryetari i kësaj force politike, Bamir Topi, i është drejtuar anëtarëve me një mesazh falënderimi për përkushtimin e të gjithëve në sfidën elektorale që sapo lamë pas."Ishte përkushtimi dhe karakteri pozitiv i gjithsecilit prej jush që edhe pse nën presion të vazhdueshëm nga pushteti e në disavantazh nga kodi elektoral, e bëri në një vit FRD konkurrente të denjë. E akoma më shumë, i siguron asaj vijimësinë e sigurtë në skenën politike shqiptare” u shpreh Topi.Gjatë takimit u trajtua edhe situata politike në vend dhe u vendos fillimi i një analize në të gjitha strukturat në nivel kombëtar, proces i cili do të mbyllet me mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të FRD në fund të muajit Shtator.“Të dhënat konkrete që do të marrim në shqyrtim do të na ndihmojnë që së bashku, ta konsolidojmë më tej FRD. Në çdo hallkë të strukturave të FRD, do të ketë njerëz të zgjedhur, e jo të emëruar. Puna jonë është në vijim e sipër. Të gjithë do të bëhemi pjesë e analizës dhe vendimeve për të ardhmen, ndaj, të përgatitemi që në Shtator, të kemi një muaj intensiv zhvillimesh brenda partisë”, përfundoi fjalën e tij kreu i FRD Topi.





