VLORE, 31 maj 2013 – Fryma e Re Demokratike ka çelur fushatën elektorale në qarkun e Vlorës, ku prezantoi dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Duke folur përpara simpatizantëve të FRD-së, kreu i kësaj force politike, Bamir Topi e cilësoi 23 qershorin si datën e kthesës në Shqipëri. 

Duke u ndalur në miratimin e 3 ligjeve në Kuvend, Topi tha se ky vendim erdhi në mënyrë të sforcuar. 

“Kjo seancë tregoi që diçka që politika shqiptare duhet ta kishte bërë në mënyrë të natyrshme, u detyrua ta bëjë për shkak të një marrëdhënieje, e cila praktikisht nuk është gjë tjetër vetëm preludi i atyre zgjedhjeve, të cilat po tentohen të dominohen në mënyrë mediatike, në mënyrë butaforike.”- deklaroi Topi. 

Ish-presidenti Topi komentoi edhe shkarkimin nga detyra të disa gjeneralëve të ushtrisë, që sipas tij, nuk vjen si vullnet i Presidentit. 

“Shkarkimi i gjeneralëve, sipas procedurave kushtetuese, nuk vjen thjesht nga një vullnet i Presidentit të Republikës. Ato vijnë si një propozim nga ekzekutivi, si një propozim nga ministri i Mbrojtjes i konfirmuar nga kryeministri dhe i certifikuar nga Presidenti i Republikës. Aty ku ata nuk gjejnë kushtet për të bërë të mundur interferimin e Forcave të Armatosura dhe të gjeneralëve në çështjet e politikës, atëherë marrin masa ekstreme.”- u shpreh Topi. 

Në përfundim të takimit, Topi iu drejtua shqiptarëve me mesazhin se ata “s’janë të dënuar nga historia për të zgjedhur të keqen më të vogël, por janë të lirë të zgjedhin opsionin më të mirë”.