TIRANË, 29 mars 2013 – Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, prezantoi sot programin kësaj partie gjatë një takimi me banorë të qytetit të Tepelenës. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët Topi u ndal në misionin e FRD-së, i cili është përfaqësimi i denjë i çdo qytetari përmes strukturave të shtrira në të gjithë vendin. 

Topi ka kërkuar nga qytetarët ndëshkim me votë për qeverinë e korruptuar, në emër të së ardhmes së vendit

“Qytetarët kanë frikë të shprehen në një atmosferë, e cila mbjell vetëm terror, ne i kuptojmë dhe i përkrahim, por në datën 23 qershor të gjithë duhet të ndëshkojnë me votë këtë qeveri të korruptuar”-

Këto struktura, vijoi ai, do të japin edhe mendimin e tyre në Kuvendin Kombëtar, i cili do të mbahet në 1 vjetorin e krijimit të FRD-së. 
Duke ironizuar faktin që kryeministri flet për kokën e Ali Pashës, ndërkohë që gurët e kalasë së tij në Tepelenë po i marrin për të ndërtuar shtëpi, Topi bëri përgjegjës qeverinë që nuk është në gjendje të mbrojë kalanë me vlera historike. 

Kreu i FRD-së gjithashtu komentoi edhe mbi nivelin e rënduar, sipas tij, të infrastrukturës rrugore në vend, edhe pse trumbetohet si arritja më e madhe e kësaj qeverie.

“Kryeministri thotë se ka bërë mijëra kilometra rrugë, ndërkohë që gropat sa vijnë e shtohen. A e dini se kryeministri shkon pothuajse një herë në javë në vilën e tij të luksit dhe përdor, po rrugën e luksit, pra helikopterin, ndërsa për qytetarët është një tjetër panoramë, rrugë me gropa, në një park kombëtar si ai i Dajtit ku duhet të lulëzonte turizimi”?-tha ai.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/