TIRANE, 15 prill 2013 – Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi duke iu referuar ngjarjeve të seancës parlamentare të ditës së sotme tha se parlamenti shqiptar është i mbërthyer prej orësh nga politika e vjetër, e cila mban akoma peng Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit, shtoi ai, ka përgjegjësi direkte për institucionin që drejton dhe gjithçka që ndodh atje dhe nuk është thjesht një moderatore që hap mikrofonat kur flasin njerëz të plotfuqishëm dhe i mbyll ato kur flasin të tjerët. Sipas tij, situata politike në vend i ngjan një drame të vërtetë shqiptare ku partitë të cilat nuk kanë komisionerë dhe më së shumti qytetarët pyesin se ku do të shkojë vota e tyre. Ai shtoi se ky fakt përbën një pasiguri të madhe për të ardhmen e të rinjve dhe se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re që nuk ndërton e zhbën KQZ- në për interesat e dy individëve.
Duke akuzuar politikën e vjetër të kryeministrit i cili nuk dëgjoi këshillat e ndërkombëtarëve dhe shkaktoi këtë kaos në vigjilje të vizitës së zonjës Ashton Topi e krahasoi atë me politikën e shteteve antidemokratike të Asadit dhe Lukashenkos. Ai tha se diferenca në moshë mes kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij sa vjen dhe rritet, duke i ardhur rradha nipërve të tij. Kjo për arsye se Berisha në rrugën e tij politike ka eliminuar kundërshtarët politikë dhe ka prishur rregullat e lojës tha kreu i FRD-së.





