ERSEKE, 13 shkurt 2013 – Fryma e Re Demokratike hapi sot degën e saj në Ersekë. Kryetari i FRD-së Bamir Topi tha përpara simpatizantëve të FRD-së në këtë qytet se politikani që merr mbështetjen e qytetarëve duhet ta rikthejë këtë besim në shpresë për ata që e votuan.
“Ne kemi ardhur sot këtu në Ersekë në një ditë dimri për t’ju sjellë sinjalet e pranverës”.
Sipas kryetarit të FRD-së nuk mund të jesh Kryeministër vetëm i një pjese të shqiptarëve por i të gjithë popullit. “Sllogani i FRD-së për shtetin dhe qytetarët nënkupton se politika duhet t’u sigurojë atyre mundësi punësimi dhe arsimimi”,- theksoi Topi.
Duke u ndalur në qeverisjen e sotme, Bamir Topi u shpreh se pushteti i Kryeministrit është drejt konsumimit të plotë, pasi ai i ka kthyer institucionet dhe administratën publike në struktura zgjedhore.