TIRANË, 01 mars 2013– Në selinë qendrore të FRD-së u zhvillua sot ceremonia e shpërndarjes së çertifikatave të trajnimit të 60 të rinjve të FRD-së. Ata morën leksione mbi çështjet themelore të politikës, me të cilat përballemi para e pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Lektorët pjesëmarrës ishin pjesë e rëndësishme e strukturave të FRD-së.
Kryetari i FRD-së Bamir Topi përshëndeti të rinjtë dhe nënvizoi se me këtë trajnim FRD ka ndjekur shembullin më të mirë të partive evropiane që kanë institucion shkollat politike për të kuptuar e shpërndarë vlerat e demokracisë. Ai theksoi përparësinë që rinia zë në FRD si grupim, si moshë, si shtresë dhe si problematikë e programit të ri zgjedhor. Lidershipi i FRD-së, theksoi z. Topi nuk e sheh rininë si shtojsë por si një pjesë vitale e pa komplekse në rrugën e tranzicionit të gjatë shqiptar.
Ajo që keni përfituar në këtë trajnim shpreh besimin se do t’ju shërbejë për të ndërtuar modelin e një bote moderne reale dhe jo të botës virtuale – tha kryetari i FRD-së. Sipas z. Topi, FRD do t’i ketë të rinjtë bashkëbisedues për implementimin e programi , transmetues të mesazheve që mbart ky program, si dhe përçues të ndjeshmërisë ndaj votës. Z. Topi tha gjithashtu se dita e votimit nuk është një proçes mekanik dhe të rinjtë duhet të jenë shembull i shndërrimit të votës në bindje për të projektuar të ardhmen. Ndaj duhet të tregojmë respekt për votën, ta ruajmë, t’i ftojmë të gjithë qytetarët ta ushtrojnë pushtetin e saj dhe me votë t’i japim fund tranzicionit 22 vjeçar – theksoi z. Topi.
Duke ju referuar zhvillimeve politike në vendet fqinjë, kryetari i FRD-së tha se dështimi i bipolarizimit në Greqi apo së fundi në Itali, tregojnë se nuk mund të ketë monopol të partive apo individëve. Në Shqipëri bipolarizimi i dështuar ka sjellë humbjen e pavarësisë së institucioneve dhe për rrjedhojë pushteti ka rënë nën këmbët e një individi.
Në përfundim të takimit z. Topi u dorëzoi të rinjve çertifikatat e pjesëmarrjes në trajnimin politik.