TIRANE, 5 prill 2013 – FRD mblodhi sot në një tryezë ekspertë të kulturës dhe artit për të diskutuar idetë dhe programin e saj në këto fusha. Kryetari i FRD-së Bamir Topi theksoi se sot është më e rëndësishme projektimi i së ardhmes se sa oponenca ndaj modeleve të ndryshme politike.
“Një vend projektohet për së mbari kur vlerësohet roli ia artistit. Për të trajtuar çështjen e artit do të shkojmë tek slogani ynë për shtetin dhe qytetarët sepse aty ku ka shtet ka institucione të forta të cilat kujdesen për administrimin e këtij sektori.”- u shpreh Topi.
Më tej, Topi theksoi nevojën që arti të futet në linjën e depolitizimit.
Në programin e FRD-së për trashëgiminë kulturore FRD do të kërkohet: “Ribërja e një pakete ligjore me standarde te mirënjohura bashkëkohore. Transparenca e plotë për të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore Stimulim të kërkimeve shkencore historiko-arkeologjike në dobi të trashëgimisë e identitetit tonë. Marrjen në mbrojtje nga shteti të objekteve historike, jo si një detyrim administrativ, por edhe juridik e penal.
FRD propozon për herë të parë për artistët një status të veçantë “Statusin e Artistit”, i cili ofron: Mbrojtjen e interesave ekonomike, profesionale dhe morale të çdo artisti. Arritjen e një sistemi sigurie sociale të lidhur me sëmundjet, invaliditetin, e aksidentet. Mbrojtjen e shëndetit dhe e integritetit psiko-fizik, parandalimin apo trajtimin e sëmundjeve profesionale si dhe aksidenteve ne pune. Për artistet e punësuar ofron: Kontrate specifike-profesionale dhe multifunksionale. Zbatimin efiçent të Ligjit për të drejtën e autorit.”- parashikohet në programin e FRD-së.





