TIRANE, 31 mars 2013– Kryetari i FRD-së Bamir Topi uron të gjithë besimtarët katolikë Gëzuar Pashkët. Topi i uron të gjithëve mbarësi dhe gëzime në familjet dhe jetët e tyre.
"Kjo është një ditë e veçantë jo vetëm për besimtarët katolikë, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, një tregues i vlerës së çmuar të traditës pozitive të respektit të përbashkët për festat fetare. Në këtë ditë, vëmendja jonë shkon tek njerëzit në nevojë dhe apelon për më shumë kujdes e dashuri, shkon tek institucioni i familjes dhe apelon për forcimin e identitetit të saj, shkon tek nevoja e madhe e shoqërisë sonë për më shumë komunikim, hapje, dialog, respekt dhe vlera morale, të cilat e ndihmojnë atë të përballet me çdo sakrificë dhe të vështrojë më me siguri drejt të ardhmes.
Besimtarët katolikë vijnë në këto Pashkë me një lajm të mirë, celebrimin e Atit të Shenjtë, Françesku I, dhe Bekimit të Tij të konfirmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Edhe njëherë uroj të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë, Gëzuar Pashkët dhe nga mot mbarësi në familjet tuaja"- ka thënë Bamir Topi.





