TIRANE, 22 prill 2013 – Fryma e Re Demokratike pritet të shpallë nesër se përkrah kujt koalicioni parazgjedhor do të rreshtohet për zgjedhjet e 23 qershorit.
Gjatë ditës së sotme kreu i FRD-së, Bamir Topi, zhvilloi një takim me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. Pas takimit me diplomatin e lartë, Topi deklaroi para mediave se forca e tij politike do të shprehet nesër përsa i përket anëtarësimit ose jo në ndonjë koalicion parazgjedhor.
“T’ja lëmë ditës së nesërme, nesër është momenti i fundit”,- tha Topi.
Ndërkohë duke u ndalur në shkarkimin e anëtarit të KQZ-së Ilirian Muho nga parlamenti, kreu i FRD-së u shpreh se veprimi në fjalë ishte një gafë e parlamentit.
“Kanë qenë partitë politike që kanë rënë dakord për Kodin dhe KQZ-në. Deri në këtë moment projektohen vullnetet politike, në momentin që miratohen në Parlament, kthehet në ligj. Eshtë një defekt i rëndë, gafë e Parlamentit, që vazhdon ta konsiderojë çështjen e KQZ-së si një domen politik”- tha Topi.
Ndërsa ambasadori i SHBA-ve, Arvizu në fund të takimit me Bamir Topi nuk preferoi të fliste lidhur me atë çfarë u diskutua por theksoi vetëm se dita e nesërme është mjaft emocionuese, pasi është afati i fundit kur partitë duhet të paraqesin koalicionet.





