Tiranë, 12 maj 2014 – Qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë drejt vendit fqinj, Greqi, nuk do të kenë më probleme me toponimet, të paktën deri në 1 janar 2015, kur edhe pritet që problemi të marrë një zgjidhje përfundimtare. Kjo është bërë e ditur nga një deklaratë e përbashkët e ministrisë së Jashtme shqiptare dhe asaj greke, në të cilën theksohet se; “deri në përgatitjen e dokumenteve të reja, do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në kufirin e dy vendeve bazuar në praktikën ekzistuese të “moratoriumit”.

“Sot në Bruksel, ne u pajtuam në mendimin se është e nevojshme që këto toponime të shprehen në një mënyrë uniforme, me qëllim që të shmanget konfuzioni që mund të krijohet nga format e ndryshme të përkthimit ose shqipërimit të emrit të një vendi të dhënë. Për këtë arsye, ne ramë dakord se një adresim tek katalogët zyrtarë që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO, janë mënyra më e sigurt dhe e duhur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që, megjithëse e thjeshtë, ka rezultuar me probleme të shprehura administrative për një numër të konsiderueshëm shtetasish.”– shkruhet në deklaratë.

Deklarata thekson se ministrat e të dy vendeve angazhohen të ndërmarrin të gjithë hapat/masat ligjore dhe administrative për zbatimin e kësaj procedure, jo më vonë se data 1 janar 2015.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/