DURRËS, 7 nëntor 2014 – Fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi, që kanë pasaportat e konsideruara “problematike” për shkak të toponimeve greke, duhet të pajisen urgjentisht me një pasaportë të re.
Ambasada e Shqipërisë në Greqi informon se ka përfunduar procedura e ndryshimit të toponimeve greke në regjistrin e Gjendeve Civile të Shqipërisë. Tashmë, të gjithë të interesuarit, fëmijët e të cilëve kanë lindur në Greqi, mund të drejtohen në zyrat e konsullatave -Athinë, Selanik, Janinë për të pajisur fëmijët e tyre me pasaportën e re.
Kujtojmë se kjo procedurë është paksa urgjente, fëmijët duhet të pajisen me pasaporta deri në fund të dhjetorit 2014, pasi marrëveshja për kalimin e lirshëm përfundon në janar 2015.
Kostoja e pasaportës është e njëjtë, ndërsa procedura mund të kryhet edhe në Shqipëri, me koston e atjeshme.
Ndërkaq, Ambasada e Shqipërisë në Greqi thekson se nga janari 2015 shtetasit shqiptarë që do të aplikojnë për pasaportë biometrike, do të pajisen me modelin e ri. Nuk është i domosdoshëm zëvendësimi i pasaportave biometrike para afatit të skadimit, të paktën deri tani nuk bëhet e ditur diçka e tillë, kështu që bëhet fjalë për rinovim apo nxjerrje për herë të parë.
Nga pga.al janë kërkuar më tepër lehtësime për familjet shqiptare në Greqi, të paktën të lejohet kalimi i fëmijëve deri në skadimin e pasaportave të para, përderisa afati është më i kufizuar. Por megjithëse shteti shqiptar këtë e ka kërkuar muaj më parë, me nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për afatin e dhënë, akoma nuk ka asnjë reagim nga pala greke. Kështu që detyrimisht, fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi, që kanë pasaportat e konsideruara “problematike” për shkak të toponimeve greke, duhet të pajisen urgjentisht me një pasaportë të re.





