Duhej të ishte ndeshja ku do të kërkonte të bindte trajnerin Sinisa Mihajlovic për aftësitë e tij, por Arlind Ajeti nuk ia del mbanë të zhvillojë një ndeshje të plotë.
Mbrojtësi shqiptar e nisi sfidën miqësore mes Torinos dhe Hull City si titullar, por në minutën e 14-të ai u largua nga fusha e blertë për shkak të një dëmtimi. Pas një goditjeje të marrë në pulpë, lojtari shqiptar ngriti flamurin e bardhë duke dalë nga fusha.
Sipas informacioneve mediatike pranë klubit të Torinos, nuk dihet ende shkalla e dëmtimit por gjithçka do të qartësohet gjatë ditëve të ardhshme kur 22-vjeçari do t’u nënshtrohet analizave më të detajuara. Një situatë aspak komode për trajnerin e “Demave” i cili humbi në po të njëjtën ndeshje edhe Basellin e Zapacostan.
Ajeti u transferua tek Torino gjatë merkatos së kësaj vere dhe gjatë fazës përgatitore ai u përgjodh titullar në të treja ndeshjet miqësore por sfida ndaj Hull City ishte testi i parë i vërtetë për skuadrën e Torinos ku skuadra italiane triumfoi me rezultatin 2-1.





