Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës.torrajKjo pasi, përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet më së miri sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë në favor. Sulmuesi i krahut, Renaldo Torraj, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur dhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë në Rrogozhinë ndaj Egnatias.
Renaldo sa vlera mori ky trepikësh ndaj Tiranës?
Padyshim që të tilla fitore marrin vlerë të dyfishtë, duke parë vështirësinë ishte një fitore karakteri. Që në fillim, kemi besuar te ky ekip. Të them të drejtën ndaj Tiranës, hymë me besim për të marrë pikët e plota, por e dinim që do të ishte e vështirë. Fitorja është e merituar.
Veç golit, po bëni dhe paraqitje të mirë në fushë?
Në çdo moment jam shumë i përqendruar, por dhe ketë ndeshje, pasi e dija rëndësinë e kësaj sfide. Ishte një takim shumë i luftuar, e patëm jashtëzakonisht të vështirë. S’kam bërë gjë akoma jam me këmbë në tokë dhe rëndësi ka, të ecë ekipi mirë, unë po rritem dhe kam fatin që kam lojtarë me eksperiencë në ekip. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të paraqitem sa më mirë në ekipin e Teutës.
Si është gjendja në skuadër?
Jemi të kënaqur me paraqitjet që ka bërë skuadra, si në seancat stërvitore ashtu edhe në ndeshje. Kemi marrë pikët e plotë në 2 javët e fundit, por që dhe shkrirja e lojtarëve të ardhur do kohën e saj.
Është vendimtare përballja ndaj Egantias?
Është një ndeshje specifike, por jo vendimtare për ecurinë në kampionat. Është një kundërshtar direkt dhe një fitore do të na japë më shumë moral për vazhdimësinë. Pres një ndeshje të vështirë, sepse Egnatia ka një ekip të mirë, me elementë cilësorë. Gjithsesi, ne do japim 100% tonë për të marrë maksimumin.
Jeni të kënaqur edhe me një pikë apo do të synoni me çdo kusht fitoren?
Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë ndaj Egnatias.
Pas Egnatias, keni një kalendar relativisht të vështirë, me Bylisin, në transfertë dhe Elbasanin, në Durrës, me sa pikë do të ishit të kënaqur të dilnit?
Nuk mendoj asnjëherë me plane afatgjatë. Do të doja që t’i fitonim të gjitha ndeshjet dhe kjo është më se normale. Megjithëse do të duhet t’i bëjmë planet ndeshje pas ndeshjeje. Duhet të marrim më të mirën në ndeshjen e ndaj Egnatias. Normalisht, nëse do të fitonim kundër tyre, do të na rritej akoma më shumë kërkesa në ekip.