Greqi, 14 prill 2014 – Gjykata greke ka vendosur të lirojë nga qelia katër nga gardianët që dyshohet se dhunuan për vdekje shqiptarin Ilia Kareli në burgun e Nigritës. Katër gardianët dhanë dëshmitë e tyrë të hënën përpara hetuesve të çështjes, pasi dyshohen si pjesë e grupit të rojave që dhunuan për vdekje 42-vjeçarin shqiptar. Pasi mori dëshminë e tyre për atë që ndodhi në burgun e Nigritës, prokuroria vendosi t’i lirojë ata me kusht deri në përfundim të procesit gjyqësor që do të nisë për këtë çështje.

Gjithsej ishin 15 gardianët e akuzuar që kishin sot ditën e deponimeve. Ata kanë dëshmuar në gjykatën e qytetit të Serrës, 80 kilometra në verilindje të Selanikut. Nesër dëshmojnë dy të akuzuarit e fundit, ndërsa pritet edhe dëshmia e njërit prej rojeve që ka deklaruar se në momentin që Ilia Kareli është sjellë në burg ai ka lënë turnin.

Deri tani nuk ka një thirrje në hetuesi për drejtorin e këtij institucioni i cili shfaqet në të dy videot e publikuara nga mediat greke vetëm disa metra larg qelisë ku torturohej barbarisht i burgosuri shqiptar. Gjashtë gardianë janë burgosur për këtë çështje që ka shkaktuar reagime të mëdha dhe gjashtë të tjerë janë lënë të lirë me kusht deri në zhvillimin e gjyqit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/