Një grua dhe i dashuri i saj, të cilët torturuan dhe vranë djalin e saj 10-vjeçar për pesë ditë duke i derdhur salcë të nxehtë në fytyrë dhe duke i bërë fëmijët e tjerë ta lëndojnë, janë dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.

Heather Barron, 33 vjeç dhe Kareem Leiva, 37 vjeç, u dënuan nga gjyqtari në një gjyq pa juri për vrasje të shkallës së parë që përfshinte torturimin e Anthony Avalos.

Ata gjithashtu u dënuan për abuzim e dy fëmijëve të tjerë në shtëpinë e tyre në Lancaster.

Prokurorët thanë se Leiva spërkati salcë të nxehtë në fytyrat e fëmijëve; i detyroi ata të luftonin me njëri-tjetrin, ndërsa humbësi u ndëshkua prej tij; dhe i bëri fëmijët të uleshin për periudha të gjata në dysheme betoni, mbi gozhda ose oriz të papjekur.

Prokurorët pretenduan se djali u vra qëllimisht nga tortura. Ata thanë se për vite me radhë e rrihnin djalin me rrip së bashku me fëmijët e tjerë, e rrihnin vazhdimisht në kokë, e përplasnin në dysheme ose mobilje, e digjnin me cigare dhe herë-herë nuk i jepnin ujë dhe ushqim, ose e ushqenin me forcë.

Prokurori i Qarkut George Gascón tha se çifti “e torturonte djalin çdo ditë për dy javë rresht deri në vdekjen e tij”.

“Brutaliteti që u bë mbi këtë fëmijë të vogël ishte i paimagjinueshëm”, tha Gascón në një deklaratë pas vendimeve.

Dy fëmijët e tjerë dëshmuan për abuzimin në gjyq, ku prokuroria i përshkroi Barron dhe Leiva si “monstra” që bashkëpunuan në torturat. Avokati mbrojtës i Barron argumentoi se ajo vetë ishte abuzuar nga Leiva dhe nuk mund ta ndalonte atë që të lëndonte fëmijët. Pas arrestimit të tij, Leiva u tha zëvendësve të sherifit se ai kishte abuzuar me fëmijët, duke shtuar: Gjithçka është vetëm faji im.