Depozitat në monedhën vendase dhe në valutë në sistemin bankar shënuan rritje në muajin gusht 2025, krahasuar me një muaj më parë.

Sipas të dhënave të BSH-së, totali i kursimeve në lekë dhe euro, në gusht 2025 shënoi 1,44 trilionë lekë, duke shënuar një rritje prej 2% krahasuar me muajin korrik dhe 7,9% rritje me bazë vjetore.

Referuar statistikave, depozitat në lekë në muajin gusht arritën në 671 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 0,9% krahasuar me korrikun dhe 77 miliardë lekë rritje me bazë vjetore.

Depozitat në valutë arritën në 765 miliardë lekë, duke shënuar një rritje më të fortë prej 3,3% kundrejt muajit korrik 2025.

Rritja e përgjithshme e depozitave konsiderohet një sinjal pozitiv për stabilitetin financiar dhe një tregues i vazhdimit të tendencës për kursim në ekonomi.