TIRANE- Avokati i Popullit, Igli Totozani në një intervistë televizive ka folur mbi çështjen e zgjedhjes së Komisionerit të ri pranë institucionit të Avokatit të Popullit. Ai është shprehur se Komisioneri i ri do jetë nga radhët e njerëzve me aftësi të kufizuara.
“Një Shqipëri europiane duhet të jetë një Shqipëri e shanseve të barabarta për të gjithë ne. Duke nisur nga ky gjykim unë kam menduar që për herë të parë në Shqipëri numuri dy i Avokatit të Popullit, pra Komisioneri të zgjidhet nga radhët e njerëzve që “vuajnë”, pra nga radhët e njerëzve me aftësi të kufizuara. Jam konsultuar me stafin dhe bashkëpunëtorët tanë në shoqërinë civile. Dhe kemi dalë në përfundimin se do ishte një revolucion i vogël në administratën shqiptare që numri dy i Avokatit të Popullit të jetë nga kjo shtresë e bashkëqytetarëve tanë. Ata janë të mirëshkolluar, këmbëngulës dhe shumë te zellshëm, për më tepër do jenë avokatë të mirë të problemeve të tyre. Janë shtresa me më shumë probleme në Shqipëri, ka prej tyre që kanë 3 muaj që nuk marrin as pagesën mujore të ndihmës, disa nga subvencionet u janë prerë", shprehet Totozani.
Avokati i Popullit shpreson që kjo iniciativë e tij të marrë edhe mbështetjen e Parlamentit. Ai shton se do konsultohet me mazhorancën e opozitën deri në marrjen e një vendimi.
"Nuk po flas për emra konkretë por sigurisht që këto emra nuk do i dërgoj pa u konsultuar me parlamentin. Shpresoj që Parlamenti ta përqafojë si parim. Ende nuk kam arritur te emra konkretë, patjetër do konsultohem me krerët e mazhorancës dhe opozitës në Parlament përpara se të propozoj emra, por dëshiroj ta shpall si parim dhe si dëshirë. Deri më sot në Administratën Publike në pozicione të larta nuk ka njerëz që vijnë nga radhët e kategorisë së aftësisë së kufizuar. Shpresoj që kjo të shërbejë si nxitje pët të gjitha institucionet e tjera shqiptare. “- ka përfunduar z.Totozani