Avokati i Popullit, Igli Totozani bëri të ditur sot një emision televiziv se Kuvendi nuk ka marrë në shqyrtim asnjë nga disa raportet speciale të dërguara në Komisionet Parlamentare. Sipas Totozanit, kjo është arsyeja që shumë çështje delikate nuk bëhen të njohura për publikun sepse sipas ligjit duhet të kalojnë fillimisht në Kuvend.
“Ne kemi për detyrë që Parlamentit t'i dërgojmë përveç raportit vjetor dhe raporte speciale për fenomene shqetësuese. Ne kemi konstatuar situatë jo të këndshme për nivelin e varfërisë në Shqipëri dhe që ndihma ekonomike nuk jep asnjë ndihmë në përmirësimin e situatës së këtyre familjeve në nevojë. Ne kemi kërkuar me anë të një raporti drejtuar Parlamentit sesa mund të ndihmojë ndihma ekonomike në uljen e varfërisë. Nuk e di pse kuvendi nuk i trajton këto raporte. Kemi pasur letërkëmbim me Kuvendin, i kemi dërguar raportet tek komisionet parlamentare, por nuk kemi dritë jeshile nga Parlamenti. Nëse komisioni i ligjeve nuk i realizon raportet tona, ato raporte nuk bëhen të ditura për publikun dhe kjo na dëmton. Ligji parashikon që vetëm diskutimi në Parlament mund të lejojë që t'i njohë më pas publiku. Janë 7-8 raporte që ndodhen në Parlament të posaçme dhe paramenti nuk i ka diskutuar. Mes tyre është dhe një raport për dëmshpërblimet e banorëve që u prekën nga përmbytjet në Shkodër”.
Sipas Totozanit, kjo nuk mund të cilësohet bllokim mes marrdhënieve të institucionit të Avokatit të Popullit dhe Kuvendit. “Nuk e imagjinoj dot si bllokim, nuk mund të them që Parlamenti i ka bllokuar se ka pasur axhendë të ngjeshur, por them se duhet të gjendet koha që këto raporte duhen të bëhen të ditura. Kemi 1 vit, qytetarët e Shkodrës vijnë na takojnë, thonë çdo bëhet me shpërblimet, por asnjë përgjigje nga Kuvendi. Ne nuk i publikojmë dot, shkelim ligjin, na e ndalon ligji”.
Më tej, Totozani analizoi dhe fenomenin e gjakmarrjes duke vlerësuar se “nëse ligji do zbatohej tërësisht nuk do ishim në këto nivele. Sot vriten gra e fëmijë, nuk bazohen keto vrasje në kanun”.
Sa i përket të të drejtave të të burgosurve, Totozani theksoi se vihet re këtë vit një përmirësim i dukshëm në burgje.
“Unë jam i kënaqur me ecurine në sistemin e burgjeve, por ende ka shumë për të bërë. Ne kemi gjetur tek Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve se ka një përmirësim në zbatimin e atyre që ka sugjeruar Avokati i Popullit. Ka ulje të mbipopullimit në burgje, përmirësim të infrastrukturës, përmendim Burgun e Elbasanit, ka përmirësim në shërbimet sociale, por problemet ekzistojnë sepse ende kemi struktura të amortizuara, kemi momente dhune torture”.
Lidhur me dhunën ndaj grave, Avokati i Popullit, Igli Totozani, theksoi se kjo vjen si pasojë e mentalitetit të vjetër që shoqëron ende shoqërinë shqiptare. Totozani vuri në dukje se dhe në rastet kur gratë denoncojnë dhunën e burrave që ushtrojnë tek to, dhe gjykata nxjerr urdhër mbrojtjeje, urdhri nuk zbatohet me shpejtësi nga zyrat përmbaruese.
“Mentaliteti patriarkal, lëvizja nga zonat rurale drejt zonave urbane ka sjellë ndryshime në shoqërinë shqiptare. Sot ka gra që denoncojnë dhunën, por ka gra që pranojnë dhunën dhe ulin kokën për hir të mentalitetit. Ka dhe një mungesë të vëmendjes së institucioneve ndaj këtij fenomeni, ekziston një situatë, ka një lloj agresiviteti, që merr përmasa makrabiteti. Këtë vit janë 22 gra të vrara. Konsiderohen disa arritje, janë shtuar urdhra të mbrojtjes dhe gjykatat që japin këto urdhra. Gatishmërisë së urdhrave të gjykatave nuk u përgjigjen zyrat e përmbarimit, ka pasur raste kur gra janë maskaruar kur duhet të mbroheshin”.