Pas lajmit për vdekjen e foshnjës 3-muajshe në një barake nga i ftohti këtë të hënë, ka reaguar edhe Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili në një njoftim për shtyp thuhet se shpreh tronditjen, indinjatën dhe dhimbjen më të thellë për një tjetër jetë fëmije të humbur nga të ftohtit.
“Është e turpshme për këtë shtet, që ende vdesin foshnja nga i ftohti, pasi askush nuk kujdeset për ta, askush nga pushteti vendor apo qendror nuk u garanton një strehë qoftë edhe provizore sa për të kaluar dimrin. I bëjmë thirrje edhe një herë drejtuesve vendor, por edhe atyre të qeverisjes qendrore që të gjejnë kohë dhe të përkushtohen edhe për të varfrit, edhe për të pastrehët, edhe për fëmijët romë që të mos vdesin më nga të ftohtët..
Avokati I Popullit kërkon me forcë dhe në mënyrë urgjente marrjen e masave nga pushteti vendor për gjetjen e vendstrehimeve të përkohshme për popullsinë e pastrehë dhe sidomos për familjet rome të cilat jetojnë në kushte të një varfërie ekstreme”,- thuhet në njoftim.