3 dhjetor 2013- Avokati i Popullit, Igli Totozani ka qenë i pranishëm paraditen e sotme në konferencën “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve”, ku gjatë fjalës së tij ai ka theksuar nevojën e gjetjes së zgjidhjeve alternative për fëmijët e mitur që thyejnë ligjin, në mënyrë që ata të mos mbyllen në qeli.

Avokati i Popullit tha se një numër i madh fëmijësh në vendin tonë shfrytëzohen në punë, madje edhe shumë të rënda për moshën, duke rekomanduar hartimin e një plani kombëtar për eliminimin e punës së fëmijëve.

“Të gjithë të hartojmë planin kombëtar të eliminimit të punës së fëmijëve, si një detyrim ligjor e moral. Konsolidim e përmirësim të sistemit të përkujdesjes shoqërore të fëmijëve në nevojë. Fëmijët e ngujuar janë tjetër çështje e nxehtë e mosrespektimit të të drejtave themelore të fëmijëve. Identifikimin e fëmijëve të ngujuar që janë jashtë sistemit arsimor. Duhet ligj për ngritjen e këshillit koordinues për luftën kundër gjakmarrjes, pasi në këtë fenomen viktimat kryesore janë fëmijët. Nuk duhet të trajtojmë vetëm pasojat e këtij fenomeni, por ta luftojmë në zemër atë", u shpreh Totozani.