Është pa diskutim një nga perlat e bregdetit të Durrësit. Kepi i Rodonit është një simbiozë e të kaltrës së qiellit dhe detit dhe gjelbërimit që rrethon kodrat e tij.
Largësia nga qyteti e ka ruajtur këtë perlë natyrore në formën e saj origjinale, ashtu si natyra e ka krijuar.
Kepi, emri i të cilit të sjell ndërmend perëndinë ilire të detrave, Redonin, është më i madhi në vendin tonë.
Kur eksploron kodrat e kësaj zone harron smogun e qytetit dhe mushkëritë mbushen me ajër të pastër e jod deti.
Panoramës së mrekullueshme natyrore i shtohen edhe monumentet e trashëgimisë kulturore si dhe gjurmët e historisë së vonë të qytetit bregdetar.
Ndërsa merr rrugën për të shkuar drejt Kepit, nuk mund të mos ndalesh për të parë nga afër bunkerët e artilerisë së rëndë, kur vendi ynë “rrezikonte” të sulmohej nga vendet imperialiste.
Disa prej tyre nuk kanë ndryshuar fare që nga ato vite kur u ndërtuan, madje ruajnë edhe instruksionet për përdorimin e topave, që do t’i përgjigjeshin sulmeve nga deti.
E ndërsa bunkerët e viteve të regjimit komunist mbeten pas, ne marrim monopatin e ngushtë drejt kalasë së Skënderbeut.
Shtegu gjarpëron në terrenin e thyer, ndërsa përgjatë gjithë rrugës bimësia vijon evolucionin e saj pa e bllokuar dhe fshehur monopatin.
Në disa nga ulje ngritjet e terrenit kodrinor ne kemi mundësi të shijojmë, megjithëse në fragmente të shkurtra, bregdetin magjepës të kësaj zone, por dhe atë çfarë ka mbetur nga kalaja, që ledhatohet e kafshohet çdo ditë nga dallgët e Adriatikut.
Kalaja e dikurshme, e ndërtuar nga mjeshtrat raguzianë të kontraktuar nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është reduktuar shumë në volum.
Erozioni shekullor ka bërë të vetën. Muri fortifikues që rrethonte kalanë është zhdukur prej kohësh. Të vetmet që ngrenë krye pranë bregut, të rrethuara nga uji, janë ato çfarë kanë mbetur nga 2 kullat e vrojtimit.
Në hyrje të kalasë është vetëm një tabelë e thjeshtë me informacionin më bazik, vetëm emrin.
Nuk gjen aty asnjë tabelë që t’u japë vizitorëve një informacion më të detajuar lidhur me vitin e ndërtimit, formën që kishte kjo kala 5 shekuj më parë etj.
Më shumë sesa ministria e linjës ka bërë komuniteti arbëresh, që ka vendosur aty një memorial në nderim të heroit kombëtar.
Në kohën kur ne po bënim xhirimet, punonjësit e ministrisë zëvendësuan flamurin kuqezi.
Shkaba dykrenore e Kastriotëve vazhdon valëvitjen e saj mbi kalanë, ndërsa deti vijon të depozitojë pranë saj mbetjet e plastikës, të sjella aty nga lumi Ishëm dhe rrymat detare.
Pavarësisht ftohjes së motit dhe shirave, Kepi i Rodonit vijon të vizitohet nga të huajt.
Një shtetase gjermane tregon se po e viziton vendin tonë për të dytën herë dhe ka mbetur shumë e surprizuar.
“Është hera e dytë që vi këtu. Herën e parë kam ardhur në vitin 2019. Bëmë një xhiro me motora nëpër Shqipëri. Këtë herë kemi ardhur me avion dhe do të qëndrojmë 4 ditë. Do të vizitojmë Durrësin dhe Tiranën. Sot po vizitojmë Kepin e Rodonit, na pëlqen shumë, sidomos kalaja. Mua më tërheq shumë natyra e fshatit, por edhe njerëzit që takojmë këtu. Jeni shumë miqësorë”.
Kur vizitoni zonën e Ishmit nuk duhet të largoheni pa parë nga afër dy monumente shumë të rëndësishme.
Kalaja e Ishmit, e cila u ndërtua në shekullin XVI, është një destinacion për të mos u humbur.
Së bashku me kishën e Shën Ndout, që ka një arkitekturë romaniko-gotike të shekullit XIII, ato përbëjnë dy nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të zonës së Ishmit.
Kisha e Shën Ndout është edhe një vend peligrinazhi për banorët e zonës dhe jo vetëm për shkak të rëndësisë së saj si objekt kulti i besimit të krishterë. Pranë saj, bunkerët, pjesë e pandarë e bregdetit shqiptar, mbartin mbi “kurriz” simbolet kombëtare.
Vetëm pak metra më larg ndodhet vija bregdetare, që gjatë verës përdoret masivisht nga plazhistët.
Këto dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga arsyet, pse zona e Ishmit mund të vizitohet në çdo stinë të vitit.
M.B.