1.KALLMI

Plazhet më të bukura të Durrësit, si Kallmi, janë ndër të vetmet që ku dora e njeriut nuk ka arritur ta dëmtojë habitatin natyror.

Gjarpërimi i brigjeve ka krijuar gjire të shumta natyrore, të shndërruara në plazhe shkëmbore e ranore, që gjatë verës frekuentohen në masë nga vendasit e të huajt.

 

I pozicionuar rreth 4 km larg qendrës së qytetit, infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar, por kjo nuk i pengon plazhistët.

Me automjetet e tyre, makina me qira apo në këmbë, ata nuk ngurojnë të marrin rrugën që gjarpëron qark kodrës për të mbërritur në destinacionin e dëshiruar, që i përngjet parajsës në tokë.

Tarifat e shezlongeve në plazhet private variojnë nga 1000-2000 lekë dhe në disa prej tyre lejoheni të merrni ushqime apo termueset me vete.

Nëse nuk i preferoni plazhet private, natyra ende ezervon për ju plazhe të virgjëra në gjire të vogla e pak të eksploruara. Në këto raste, më i përshtatshëm është një mjet tip Fuoristradë, pasi rruga është e vështirë për t’u përshkuar.

Pushime me familjen apo me shoqërinë? Zgjedhja mbetet e juaja, sepse Kallmi është i përshtatshëm për të gjitha grupmoshat.

Pas një qëndrimi disa orësh në plazh, mund të konsumoni drekën në restorant, ku fatura zakonisht varion 2000-3000 lekë për person, ndërsa konsumoni produkte të freskëta deti.

 

2.PLAZHI I MADH DHE SHKËMBI I KAVAJËS

Me intensitetin e ndërtimeve në 30 vitet e fundit, plazhi i madh në Durrës dhe zona e Shkëmbit të Kavajës janë më të populluarat gjatë sezonit veror.

Me bregdetin e cekët ranor, kjo zonë është perfekte për të kaluar pushime familjare. Vogëlushët e adhurojnë këtë plazh.

Kundrejt një tarife që nis nga 1000 lekë, mund të shijoni në plazhet private momente mjaft relaksuese.

Nuk mungojnë edhe hapësirat publike, por janë të pakta në numër.

Linja urbane që e përshkon plazhin dhe afërsia me qytetin e bën këtë zonë lehtësisht të aksesueshme nga kushdo.

Nëse pushimit tuaj kërkoni t’i dhuroni adrenalinë, sportet ujore janë ajo çfarë po kërkoni.

Pushime ekonomike apo luksi?

Këtu mund t’i shijoni të dyja, pasi me hotelet 3,, 4 apo 5 yje, apartamentet Airbnb dhe vilat private, kjo zonë i përshtatet të gjitha xhepave.

Çdo hotel ka barin dhe restorantin e vet, ku mund të shijoni gatime tradicionale apo menu mbi bazë mishi apo peshku.

Në darkë, lokalet e natës me tingujt e muzikës tradicionale apo kontemporane ju ofrojnë mbrëmje të paharrueshme.

 

3.GJIRI I LALZIT – SHËN PJETËR

Shtrihet në skajin më verior të bashkisë Durrës dhe është një nga plazhet më të njohura dhe më të frekuentuara.

Plazhi i Gjirit të Lalzit me brezin e gjerë ranor, gjatësinë rreth 4 km, kurorën e gjelbërt dhe infrastrukturën rrugore të rikonstrukturuar tërësisht është kthyer në një “magnet”, sidomos për pushuesit nga Tirana dhe diaspora.

Të huajt e kanë zbuluar më së shumti vitet e fundit kjo edhe për shkak të investimeve serioze që janë bërë në zonë përsa i përket strukturave akomoduese luksoze.

Me një shtrirje nga Hamallaj e deri në skajin fundor në Shën Pjetër, kjo vijë bregdetare ofron gjithçka kërkoni për një pushim komod e relaksues.

Nëse dëshironi të qëndroni larg plazheve të zhurshme dhe shumë të frekuentuara, Shën Pjetri ju ofron gjithë qetësinë e dëshiruar.

Në plazhin e Shën Pjetrit nuk mungojnë hapësirat publike, por edhe ato për kamping.

Kjo zonë ofron tarifat më të ulta të shezlloneve në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit, pasi aty ende mund të akomodohesh duke shpenzuar vetëm 500 lekë.

 

4.PORTO ROMANO – BISHTPALLE

Në hartografi njihet si Kepi i Palit, ndërsa vendasit përdorin toponimin Bishti i Pallës (Bishtpallë) për ta emërtuar.

Një rrip i hollë toke zgjatet rreth 2 km drejt detit, ndërsa gjiret e vogla të krijuara nga dredhimet e peizazhit natyror janë ndër plazhet më të bukura të Durrësit.

Mbrojtja natyrore që zona kodrinore i garanton hapësirës ranore dhe detare e ka kthyer atë në të parapëlqyerin e banorëve të Durrësit, si për ata që e vizitojnë për herë të parë, si për frekuentuesit e rregult.

Tarifat e shezlloneve janë 1500 lekë, por mund të akomodoheni edhe në hapësira publike.

Për të huajt, këto plazhe janë hapësirat perfekte për pushime, sepse mund të gjesh gjithçka në një vend të vetëm.

Përveç barit dhe resrorantit që ofron një menu shumë të larmishme, ku dominojnë produktet e detit, aty gjeni hapësira të konsiderueshme për kamping apo për akomodim disa ditor në vilat e vogla, ku qiraja ditore është 50 euro.

Portezi nuk është i vetmi plazh i kësaj zone periferike të Durrësit.

Porto Romano ofron të tjera hapësira publike e private përgjatë bregdetit të saj.

Karakteristikë e këtyre plazheve me gurë është uji shumë i pastër dhe qetësia që ato ofrojnë me shumicë.

 

5.CURRILAT

Ai është Kapri (Capri) i durrsakëve.

Për vendasit, Currila mbetet plazhi tradicional i tyre dhe mund të thuhet pa frikë që është në toplistën e plazheve më të frekuentuara nga të gjitha grupmoshat.

Pavarësisht ndryshimit rrënjësor që ka pësuar në 30 vitet e fundit, të shumtë janë ata që kanë mbetur besnikë të kësaj vije bregdetare, që nis nga Sfinksi për t’u shtrirë deri në kufi me Kallmin.

Bregdeti ranor dhe i cekët është perfekt për pushime familjare. Ndërkohë, adhuruesit e notit mund të përshkojnë distanca të gjata në ujërat e kristalta të Adriatikut.

Afërsia me qytetin si dhe linja urbane jua lehtësojnë aksesin në këtë vijë bregdetare.

Tarifat e shezlloneve nisin nga 700 lekë, ndërsa hapësirat publike janë të papërfillshme.

Restorantet e zonës ofrojnë menu të larmishme, me çmime që variojnë rreth 3000 lekë personi.

Në zonë ka disa struktura hoteliere, të cilat ju mundësojnë një qëndrim mjaft komod dhe me çmime të arsyeshme.

 

6.SEKTOR RINIA

Për eksploruesit e natyrës dhe aventurierët por edhe për ata që kërkojnë një arratisje buzë detit, Sektor Rinia është një nga plazhet më të bukura të Durrësit.

Ndryshe nga Durrësi i tejmbushur me ndërtime, këtu, vetëm 17 km larg qytetit, duket sikur koha ka ndalur për ta lejuar natyrën të lulëzojë.

Rruga e ngushtë dhe e pashtruar që lidh zonën rurale me bregdetin nuk bëhet aspak pengesë për frekuentimin masiv të hapësirës ranore dhe lokaleve e restoranteve buzë detit.

Tarifat e shezlloneve nisin nga 800 lekë, por këtu më shumë sesa në çdo plazh tjetër të Durrësit gjen hapësira publike me shumicë.

Relievi i shtrirë, por mjaft i larmishëm krijon mundësi perfekte për eksplorimin e natyrës.

Një xhiro me kalë është sidomos e preferuar nga të huajt, të cilët natyra e virgjër i mahnit dhe i intrigon.

Laguna që shtrihet në të dy anët e rrugës, që të çon në det ofron larmishmëri flore dhe faune.

Vendasit peshkojnë rregullisht në lagunë, e cila është “shtëpia” e shumë shpendëve si pulëbardhave, lejlekëve etj.

Pasuria më e madhe e Sektorit Rinia është mushkëria e tij e gjelbërt, pylli i halorëve.

Ky park i madh natyror, që shtrihet në rreth 116 hektarë, është perfekt për të organizuar piknikë, në freskinë e pishave shtatlarta, pasi keni shijuar për disa orë bregdetin e kësaj zone.