Një i huaj ka bërë realitet diçka, që institucionet vendore në Durrës nuk e kanë bërë asnjëherë.

Britaniku Keith Lauchlan, që kohët e fundit e ka ndarë jetën mes Francës dhe Durrësit, ka krijuar një website, që përmban informacion të detajuar lidhur me stacionet e linjave urbane të qytetit, oraret, itinerarin e lëvizjes etj.

Durresbybus.com është një faqe në internet që u vjen në ndihmë pikë së pari turistëve të huaj, por edhe shtetasve nga vende të ndryshme të botës që kanë zgjedhur Durrësin si rezidencë për të jetuar e punuar.

Për “DurrësLajm”, Keith rrëfen se e ndërmori këtë nismë, pasi në grupet në rrjetet sociale ku diskutojnë shtetasit e huaj, informacioni i munguar për urbanët e qytetit përbënte shqetësimin kryesor.

“Është e vështirë të gjesh informacion. Nuk ka asnjë website që do t’ju informonte lidhur me lëvizjen e urbanëve në qytet. Unë udhëtova me çdo urban linje dhe dizenjova itinerarin që përshkon dhe më pas përgatita hartën dhe faqen. Ajo u shërben turistëve dhe rezidentëve të huaj, por do ta përkthejmë gjithashtu në gjuhën shqipe”, thotë Lauchlan.

Informacioni i munguar për linjat urbane penalizon së tepërmi lëvizjen e të huajve në qytet, si gjatë pushimeve të tyre, ashtu edhe gjatë qëndrimit disa mujor në Durrës.

“Për të shkuar në një tjetër qytet, ju shkoni tek terminali dhe aty një tabelë e madhe ju orienton çfarë autobusi të merrni. Është më kollaj të shkosh në një tjetër qytet, sesa të shkosh në Porto Romano apo Currila”,- vijon më tej britaniku Lauchlan.

Aktualisht faqja në internet përmban informacion të detajuar për lëvizjen e urbanëve të disa prej linjave kryesore të qytetit bregdetar, ndërsa pritet të plotësohet më tej edhe me linjat respektive Durrës – Shënavlash, Universitet dhe Shijak.