Ai është Kapri (Capri) i durrsakëve.

Për vendasit, Currila mbetet plazhi tradicional i tyre dhe mund të thuhet pa frikë që është në toplistën e plazheve më të frekuentuara nga të gjitha grupmoshat.

“Unë si durrsak i kam parë të gjitha, por më bukur se këtu zor se ka. Thonë se është ai jugu andej, por mua më pëlqen këtu, sepse është mrekulli. Këtu është tamam si Kapri (Capri), Itali”,- thotë për “DurrësLajm” një pushues i përvitshëm në këtë zonë.

Pavarësisht ndryshimit rrënjësor që ka pësuar në 30 vitet e fundit, të shumtë janë ata që kanë mbetur besnikë të kësaj vije bregdetare, që nis nga Sfinksi për t’u shtrirë deri në kufi me Kallmin.

“Shumë qetësi, pastërti, rregull. Nuk mungon asgjë”.

“I mrekullueshëm, më bukur s’ka ku të shkojë. Vijmë nga Italia, vetëm për të shijuar këtë vend”,– janë disa nga opinionet e pushuesve.

Bregdeti ranor dhe i cekët është perfekt për pushime familjare. Ndërkohë, adhuruesit e notit mund të përshkojnë distanca të gjata në ujërat e kristalta të Adriatikut.

Afërsia me qytetin si dhe linja urbane jua lehtësojnë aksesin në këtë vijë bregdetare.

Tarifat e shezlloneve nisin nga 700 lekë, ndërsa hapësirat publike janë të papërfillshme.

Restorantet e zonës ofrojnë menu të larmishme, me çmime që variojnë rreth 3000 lekë personi.

Në zonë ka disa struktura hoteliere, të cilat ju mundësojnë një qëndrim mjaft komod dhe me çmime të arsyeshme.

M.B.