Jo më kot vendasit e quajnë plazhi i madh!

Me intensitetin e ndërtimeve në 30 vitet e fundit, plazhi i madh në Durrës dhe zona e Shkëmbit të Kavajës janë më të populluarat gjatë sezonit veror.

Dhe kjo ndodh për arsye shumë të thjeshta.

“Plazhi i mirë dhe i lirë. Shumë lirë është këtu në Shqipëri. Për besë, po”.

“Ka cilësi, mikpritje dhe shërbimet janë shumë të mira. Situata qenka përmirësuar shumë, jashtë mase, sepse unë e mbaj mend këtu e vite përpara”.

“Unë jam durrsak. Kam punuar këtu dhe në det. Plazhi ka qenë dhe në atë kohë i bukur, por tani është bërë edhe më i bukur”.

“Më mirë, më pastër, më bukur sivjet. Shumë më mirë”.

Me bregdetin e cekët ranor, kjo zonë është perfekte për të kaluar pushime familjare. Vogëlushët e adhurojnë këtë plazh.

Kundrejt një tarife që nis nga 1000 lekë, mund të shijoni në plazhet private momente mjaft relaksuese.

Nuk mungojnë edhe hapësirat publike, por janë të pakta në numër.

Linja urbane që e përshkon plazhin dhe afërsia me qytetin e bën këtë zonë lehtësisht të aksesueshme nga kushdo.

Nëse pushimit tuaj kërkoni t’i dhuroni adrenalinë, sportet ujore janë ajo çfarë po kërkoni.

Pushime ekonomike apo luksi?

Këtu mund t’i shijoni të dyja, pasi me hotelet 3,, 4 apo 5 yje, apartamentet Airbnb dhe vilat private, kjo zonë i përshtatet të gjitha xhepave.

Çdo hotel ka barin dhe restorantin e vet, ku mund të shijoni gatime tradicionale apo menu mbi bazë mishi apo peshku.

Në darkë, lokalet e natës me tingujt e muzikës tradicionale apo kontemporane ju ofrojnë mbrëmje të paharrueshme.

M.B.