Janë 50 gjyqtarë anëtarë të kolegjiumit të tanishëm në Durrës. Shumica të rinj. Por nga këta 50 rreferë, 8 janë vajza. Po mendohet seriozisht për aftësimin e tyre, duke e ndarë në plane të afërta dhe të perspektivës së punës tonë. Baza ku po thithet elementi i perspektivës në gjykimet e femrave është shkolla e mesme e mjeshtërisë sportive Bernardina Qerraxhia në Durrës….

E kam pritur si një sihariq të jashtëzakonshëm, kur me një frymë më kanë ardhur dhe takuar dy emra të njohur të futbollit, duke bërë të njohur faktin e riorganizimit të kolegjumit të gjyqtarëve të futbollit në Durrës. Dritan Babamusta, përgjegjës i Zyrës Rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Servet Bogdani, kryetar i kolegjiumit të gjyqtarëve në Durrës, ishin të lumtur ndaj kësaj arritje duke e trajtuar si sukses të madh. Dhe kanë të drejtë. Pse-në e këtij ngazëllimi do ta trajtojmë në këtë koment të përgatitur enkas për këtë ngjarje.

Retrospektivë

Kam patur një shans, pse jo edhe fat mund ta konsiderosh, që në jetën time jam ndeshur me njerëz të njohur, të mençur të futbollit durrsak. Njëri prej tyre është eruditi Mit’hat Hoxha. Një profesor i lindur dhe me një edukatë pune dhe njerëzore për t’ia patur zili. Teksa i bëra një vizitë në shtëpinë e tij, po më tregonte për vlerat e futbollit. Krejt papritur e pyeta Mit’hat Hoxhën, se a kishte njohuri për  historinë e gjykimeve në Durrës. I shkëlqyen sytë dhe brofi menjëherë nga vendi ku ishte ulur. Më kërkoi të falur pak minuta dhe mori drejtimin për në katin e dytë të banesës ku jetonte. Kthehet me një fotografi në duar dhe e trajtonte si një gjë të rrallë e të jashtëzakonshme. Kujdesi i tij i madh për këtë foto, hedh dritë për një dukuri historike për të treguar se gjykimet durrsake, janë po aq të traditës sa edhe vetë loja e topkëmbës në Durrës. Fotoja që më ofroi për ta parë me vëmendje Mit’hat Hoxhën ishte e datës 24 korrik 1935. Ndonëse kanë kaluar 77 vite, ajo mbetet edhe tani cilësore dhe nga argumentet më të gjalla, se Durrësi ka histori të pasur në gjykime. Natyrisht prezenca në këtë foto e Mit’hat Hoxhës, është edhe një arsye më shumë që ajo është ruajtur dhe mirëmbajtur kështu kaq mirë.

I dyti djathtas në këmbë është gjyqtari i ndeshjes ndërkombëtare të luajtur ndërmjet Sportklub Podgorica – Mali i Zi me Teutën e Durrësit. Dhe ky gjyqtar është Mit’hat Hoxha. Ndeshja është zhvilluar në Durrës dhe përfundoi 3-2 në favor të Teutës. Mit’hati ynë, që ka përmbi 10 vite që është ndarë nga jeta, mbante stemën e kandidat gjyqtarit ndërkombëtar.Dhe në atë ditë që u takuam, më tregoi se gjyqtari i parë në Durrës është Telemak Anastasiadhi. Edhe me titullin ndërkombëtar. Mbetet themeluesi i gjykimeve në Durrës. Me këtë që tregonte Mit’hat Hoxha, hodhi dritë mbi një pjesë të historisë së futbollit durrsak të pandriçuar, madje të paprekur kurrë më parë. Dhe më tej bëhej një lidhje koherente, ku në historinë e gjykimeve në Durrës parakalojnë kapituj të tillë të pazbehur si Stefan Dhima, Jorgji Zagoridha dhe Ilia Doraci. Dhe pas viteve 60-të shfaqet i paharruari Shazivar Gruda, që ishte bilbili numur një për futbollin shqiptar të viteve 60-70-të. Stema e ndërkombëtarit ishte më e pakta që mund t’i akordohej atij. Dhe ia dorëzoi stafetën Met Myshkut, shumë serioz dhe korrekt. Kolonë e gjykimeve në Durrës, duke rrezatuar me aftësitë e tij në nivelin dhe cilësinë më të mirë të gjykimeve shqiptare. Dhe ia dorëzon bilbilin Astrit Canajt, i prerë për gjyqtar ndërkombëtar. E sa i takon asistentëve kujtohen gjithnjë për ndihmesën e dhënë Reshat Qatja, Ymer Karaboja, Spiro Sterjo etj. Riorganizimi i tanishëm nuk është i rastësishëm. Përvoja dhe tradita janë të fiksuara. Mjaft t’i zbulojmë dhe t’i trajtojmë kësisoj.

E tanishmja

Dy miqtë e mij më të rinj Dritan Babamusta dhe Servet Bogdani, nuk i dinin këto që po ua tregoja, si shenjë e mirë e asaj që kishte qenë më parë, me atë që po bëhet tani. Sepse u bënë gati dy dekada, që Durrësit i “humbi” bilbili. Kolegjumin e gjyqtarëve e pushtoi grindja dhe mëria dhe gjithçka u shkërrmoq. Gjyqtari Fatmir Tare si më aktivi, mori anëtarësimin tek kolegjiumi i gjyqtarëve të Tiranës. Mbeti pa rënë vetëm një pasionant. Quhet Erjon Dobi. Por mbrojtja e titujve shkencore në klinikat e njohura të Francës, aq sa edhe është punësuar atje, e detyroi Dobin të mos jetë gjithnjë i pranishëm në organizimin e punëve në kolegjiumin e gjyqtarëve. Ndonëse mbetet bilbili numër një nëDurrës, pasi është i vetmi së bashku me të riun Andi Koçi të pranishëm në gjykimet e ndeshjeve në superligë, duke mos ndarë nga ata edhe asistentin Fatmir Elezi. Ky është nishani i Durrësit në gjykimet e sferave të larta të futbollit. Parë kështu dhe vjen një ditë që po vihet dorë në riorganizimin e kolegjiumit të gjyqtarëve në Durrës. Në një anë është këmbëngulja e Dritan Babamustës, i cili është udhëzuar nga FSHF-ja për të vënë dorë mbi organizimin e punëve të gjykimeve. Dhe ana tjetër është dalja në pah e pasionit dhe vullnetit të pazakontë të 44 vjeçarit Servet Bogdani. Është gjyqtar i kategorisë së parë, por është kaluar ndërkombëtarit përsa i takon vlerave organizuese dhe menaxhuese.

Ky Bogdani lakmitar në ambiciet e tij, të tregon për revolucionin që po bëhet në riorganizimin e kolegjumit të gjyqtarëve durrsakë. Nga një kolegjium i sfilitur dhe i rrënuar nga puna e lënë në mëshirë të fatit, në një kolegjium me plot frymëmarrje. “Janë 50 gjyqtarë anëtarë të kolegjiumit të tanishëm në Durrës. Shumica të rinj. Por nga këta 50 rreferë, 8 janë vajza. Po mendohet seriozisht për aftësimin e tyre, duke e ndarë në plane të afërta dhe të perspektivës së punës tonë. Baza ku po thithet elementi i perspektivës në gjykimet e femrave është shkolla e mesme e mjeshtërisë sportive Bernardina Qerraxhia në Durrës. Na është bërë krahë edhe ish atletja e njohur dhe tani mësuese e edukimit fizik Zamira Koçi, e cila po bind me durim që disa prej atleteve të reja të zgjedhin edhe rrugën e gjykimeve. Dhe rezultatet janë të mbara. Xhoana Boja gjykon në kategorinë e dytë, ndërsa kampionet në disa gara të atletikës Klesta Gjyli dhe Adifete Tola janë asistente”,- thotë Bogdani. Bisedën e nget edhe Dritan Babamusta. “Nxitje gjykimit, por veçanërisht në atë të femrave ka dhënë,- thotë Babamusta,- kampionati kombëtar i futbollit për femra, por edhe 600 ndeshjet e kampionateve amatore të zonës duke filluar nga U-10 e vazhduar me U-19. Ky masivitet i jashtëzakonshëm, na detyroi t’i përvishemi një pune intensive. Femra në gjykime nxit fairplay-in, mirëkuptimin sportiv ndërmjet ekipeve, e bën më të butë futbollin duke evituar instinktet dhe egërsinë e çastit. Funksionimi i kolegjiumit vendos si prioritet kualifikimin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve të rinj.  

Kemi kërkuar bashkëpunim me  sektorin e vlerësimit dhe të meritave në FSHF dhe organizuar seminare teorike praktike. Kanë ardhur të referojnë në kolegjumin tonë emra të shquar të gjykimeve shqiptare si Arsen Hoxha, Plarent Kotherja, Sokol Jareci, etj.” Kolegjumi i gjyqtarëve durrsakë të futbollit është në sfidën e së ardhmes. Asistentët e kategorisë së parë Fatmir Elezi dhe Fatmir Lame, janë në plan që në këtë sezon sportiv të ngrihen në nivelin e superligës. Edhe për thellimin e aftësimit të dy gjyqtarëve kryesorë Xhenald Rada dhe Klodian Shahini  janë vënë afate. Nga kategoria e dytë të kalojnë në kategorinë e parë. Sa i takon shtimit të gjyqtarëve në superligë dhe me titull ndërkombëtar, viti 2014 ofron surpriza të këndshme. Por befasia më e madhe, që i ka dhënë tone të futbollit të vendeve të zhvilluara gjyqtarëve durrsake, janë përfshirja në gjykime e intelektualëve. As nuk është parë e dëgjuar, që këto kategori të përfshihen në fushën e gjykimeve. Gjyqtar futbolli nuk është vetëm studentja, apo studenti, punëtori i thjeshtë, por edhe arkitektë si Julian Metani, stomatologë si Florian Voci dhe doktor Erjon Dobi. Kjo që po ndodh me kolegjumin e gjyqtarëve të futbollit në Durrës, është shprehje e punës me përkushtim dhe përgjegjësi njerëzore e kryetarit të saj Servet Bogdani, në bashkëpunim me zyrën rajonale të FSHF-së të drejtuar nga Dritan Babamusta dhe Klubi i Futbollit Teuta. Dhe gazeta “Dyrrah” e zbulon dhe e përhap këtë përvojë, e bindur në mbështetjen dhe nxitjen e kësaj pune të jashtëzakonshme që po kryhet.