Jo të gjithë i njohin traditat martesore, disa prej tyre kanë një histori antike dhe fshehin fakte vërtet interesante. Nga traditat e lidhura me betimet, buqeta e luleve, velloja e nuses, muaji i mjaltit, bombonieret dhe hedhja e orizit, më poshtë do të lexoni të gjitha kuriozitetet që nuk dini për martesën.

1- Vënia e unazave

Vënia e unazave është pjesë e ceremonisë civile dhe fetare, por cila është historia e kësaj tradite? Të parët që kanë krijuar këtë rit kanë qenë egjiptianët. Studiuesit kanë pohuar se kanë qenë pikërisht ata që kishin dalluar një venë të veçantë në gishtin e katërt të dorës së majtë, që shkonte deri në zemër dhe që sipas tyre lidhej me ndjenjat njerëzore.

Romakët e vjetër përdornin unaza hekuri, që fillimisht viheshin vetëm nga meshkujt, por tradita e shkëmbimit të unazave ekzistonte edhe tek popujt barbarë, shkruan "Pour Femme".

2-  Mbajtja e nuses në krahë

Një tjetër traditë e rëndësishme e lidhur me dasmën, është ajo e mbajtjes së nuses në krahë nga dhëndri kur futeshin në shtëpi. Në Antikitet mendohej se hyjnitë mund të shfaqnin vullnetin e tyre kundër lidhjes së martsës në momentin që nusja kapërcente pragun e shtëpisë. Për të shmangur pra rrezikun që gruaja të rrëzohej, dhëndri e merrte në krahë, duke i dalë për zot fatit të vet.

3- Muaji i mjaltit

Sigurisht e keni pyetur veten pse quhet muaj mjalti. Ky emërtim, tregon në fakt periudhën menjëherë pas martesës në të cilën të sapomartuarit kalojnë ditët e para bashkë gjatë pushimeve. Quhet muaj mjalti sepse i referohet muajit të parë të martesës, kur çifti duhet të konsumonte mjaltë çdo ditë, që të kishin një jetë të ëmbël.

4- Bonbonieret

Qerasja e të ftuarve dhe dëshmitarëve me bomboniere është një traditë që askush nuk e vë në diskutim. Por nga ka ardhur kjo traditë? Ky rit e ka origjinën nga Franca, ku në vitet ‘700 të ftuarve në dasmë u dhurohej një kuti e vogël me bonbone dhe ëmbëlsira të vogla, që në fakt konsideroheshin si fatsjellëse.

5- Velloja e nuses

Tradita e vellos së nuserisë në botën antike kishte kuptime të ndryshme. Në Romën  e vjetër nusja vinte vellon në shenjë fitoreje, duke qenë se i kishte shpëtuar dëshirave të mishit dhe kishte ruajtur virgjërinë e saj. Ndërsa pak më dramatik është një tjetër kuptim i mbajtjes së saj. Në Mesjetë nusja mbulonte fytyrën me vello dhe e zbulonte vetëm pas celebrimit, kështu që dhëndri nuk mund  të pendohej para ceremonisë. Por ekziston edhe një traditë, sipas së cilës velloja e mbronte nusen nga shpirtrat e këqinj.

6- Buqeta e luleve

Pse nusja mban buqetë lulesh? Kjo traditë i ka fillesat tek arabët e hershëm, të cilët e zbukuronin nusen me lule portokalli si një ogur i mirë për të pasur shumë pasardhës. Sot nusja mund të zgjedhë mes qindra buqetash e lulesh të ndryshme, ndërsa më parë buqeta e saj përbëhej vetëm nga lulet e portokallit.

7- “Nuse e lagur nuse me fat”

Kjo shprehje lidhej më së shumti me fshatarët. Shiu në fakt ishte i rëndësishëm në kohërat e ekonomisë rurale kur nga ai varej prodhimi. Pra thënë në gjuhën popullore nusja vinte me beqeret. Ndërsa në Shqipëri në rastet kur bie shi ditën e dasmës, thonë se nusja ka gërryer tenxheret.

8- Hedhja e orizit

Me çfarë lidhet hedhja e orizit pas martesës? Duket se kjo traditë ka origjinë kineze dhe orizi simbolizon bollëkun dhe prosperitetin.

R.O.