Një operacion antidrogë i koduar “Sfizio” zhvilluar nga antidroga italiane, çoi sot në shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte drogë mes Shqipërisë e Italisë, kryesisht në territorin e provincave të Emilia Romanjës, Abruzzo, Calabria e Messina.
Në pranga janë vënë 9 persona, 7 italianë e 2 shqiptarë. Ky grup trafikantësh e kishte bazën në Messina e drejtohej nga një familje siciliane (babai me dy djemtë me inicialet M.A, M.M.A, M.F).
Hetimet kanë zbardhur se ky grup kriminal furnizohej me marijuanë nga trafikantë shqiptarë e dhe italianë të Abruzzo-s e më pas me anë të korrierëve të besuar e transportonin drejt Siçilisë. Droga pasi mbërrinte në Messina, shpërndahej te korrierët e vegjël lokalë.
Gjatë hetimeve Policia italiane ka mundur të sekuestrojë disa ngarkesa droge me sasi 55 kg marijuanë dhe ka vënë në pranga dy korrierë R.G, B.M të cilët me automjetet e tyre transportonin lëndën narkotike. Gjatë operacionit “Sfizio”, autoritetet italiane kanë kryer kontrolle banesash e personash në të gjithë Italinë.





