Punimet për riparimin e autostradës Tiranë-Durrës, kanë shkaktuar trafik të madh në rrugën dytësore në dalje dhe hyrje të kryeqytetit.

Nga Vora, ku ka nisur ndërhyrja emergjente për riparimin e shtresave të dëmtuara asfaltike, Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, tha se kompanitë do të punojnë edhe gjatë orëve të natës për të përfunduar sa më shpejt ndërhyrjen.

"Dua të na mirëkuptojnë qytetarët pasi këto ndërhyrje krijojnë probleme edhe në trafik. Por kantieret janë të domosdoshme megjithëse kanë gjithmonë probleme. E rëndësishme është se janë marrë të gjitha masat që të punohet 24 orë. Brenda Qershorit ky segment do të jetë plotësisht i riparuar dhe do të jetë i hapur për trafikun. Pra bëhet fjalë vetëm për dy javë shqetësime. Edhe një herë dua t’ju bëj thirrje edhe qytetarëve, ne jemi duke bashkëpunuar edhe me Policinë e Shtetit në mënyrë që të disiplinohet trafiku. Qytetarët që duan të shkojnë në jug e mira është të marrin rrugën e Elbasanit dhe të shkojnë nga Rrogozhina", tha Gjiknuri duke u kërkuar qytetarëve të ndjekin njoftimet e ARRSH-së për devijim të qarkullimit.