DURRËS, 13 maj 2013– Porti i Durrësit ka shtuar ndjeshëm volumin e përpunimit të mallrave me kontenierë dhe për shkak të pozicionit gjeo-strategjik synon ,që në një të ardhme të afërt me një mirëmenaxhim të kapaciteteve dhe shërbimeve të ofruara për operatorët publikë dhe privatë, të kthehet në një port të fuqishëm tranziti në Ballkan. Ndonëse situata për transportin e kontenierëve në të gjithë botën po vështirësohet ndjeshëm këtë vit, në Shqipëri ky transport ka njohur rritje.

Kështu, referuar statistikave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, në vitin 2010 u përpunuan në total 71 614 TEU (njësia matëse që përdoret për kapacitetin në transportin e kontenierëve). Në vitin pasardhës, sasia e kontenierëve të përpunuar shkoi në 78 327, për të njohur një tjetër rritje në vitin 2012, kur u arrit të përpunohen 83 194 TEU. Raporti mes kontenierëve të përpunuar për eksport dhe import nuk regjistron diferenca të mëdha. E njëjtë është situatë e trafikut të kontenierëve dhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, që regjistron në total lëvizjen e 22 554 TEU.

Transporti me kontenierë, që ofron përparësi për transportuesit, si dhe dërguesit e pritësit e mallit, has edhe në vështirësi. Kryesisht, përsa i përket infrastrukturës së transportit në vazhdim, pas përpunimit në port. Sistemi aktual hekurudhor nuk e përballon dot ngarkesën që premton e ardhmja e afërt në këtë drejtim, ndërsa transporti rrugor përballet me kosto të larta që lidhen me gjendjen e rrugëve dhe nevojën për mirëmbajtjen e vazhdueshme të tyre.

Ndërtimi i linjës hekurudhore Lin-Strugë- Kërçovë do të mundësonte lidhjen e Maqedonisë Jugperëndimore me portin e Durrësit dhe të këtij të fundit, përmes Maqedonisë mundëson daljen në Detin e Zi, vazhdimësinë e transportit të mallrave me kontenierë deri në Varna dhe Burgas të Bullgarisë. Projekti për linjën Lin- Strugë me një gjatësi prej 67,8 km, nga të cilat vetëm 2,8 km në territorin shqiptar, është fiksuar edhe në një marrëveshje midis ministrive të Transportit të dy vendeve, marrëveshje që përcakton dhe disa nga karakteristikat e hekurudhës me drejtimin Lin-Strugë-Kërçovë. Në bazë të saj, secila palë ka marrë përsipër ndërtimin e vijës hekurudhore në territorin përkatës me shpenzimet e veta deri në pikën kufitare. Pala shqiptare dhe ajo maqedonase kanë pranuar transportin e mallrave tranzit për llogari të secilit vend, rezultat i eksport-importit të Maqedonisë dhe Shqipërisë me vendet e treta.

/v.q. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/