·         Gazeta “Dan” akuzon qeverinë e Podgoricës për falsifikim dokumentesh nga frika e reagimit të Moskës (ja faksimilja e faqes së parë print të së përditshmes malazeze, datë 15 maj 2013)

·         Ministria malazeze e Ekonomisë ia le përgjegjësinë MEICO-s dhe Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë

·         AKSHE: U dha licencë eksporti në Republikën e Gjeorgjisë për 10.000 copë raketa 64 mm ZOLJA, për periudhën 21.4.2011-20.04.2012, por ka pasur zero realizim

Investigim / Posaçërisht për “Dyrrah”-n

Nga Gjergj Thanasi

PODGORICË, 15 maj 2013 –Plas një tjetër skandal me trafikun e armëve në aksin Mali i Zi-Shqipëri-Gjeorgji, por Podgorica dhe Tirana mohojnë ekzistencën.

Gazeta e njohur malazeze “Dan” në numrin e 15 majit 2013 (dan.co.me/naslovna_bb/naslovna15052013), ka akuzuar qeverinë e Podgoricës se ka falsifikuar dokumentet për të trafikuar 10 mijë copë granatahedhës dore të prodhimit serb në drejtim të Gjeorgjisë, falsifikim i bërë nga frika e reagimit të Moskës.

Falsifikimi

Sipas “Dan”-it, Qeveria e Malit të Zi ka falsifikuar certifikatën e përdoruesit fundor për 10.000 copa raketa supi (granatahedhës) M80 “zolja”, në fillim të vitit 2011, duke pretenduar se do të eksportoheshin në Shqipëri, por kanë përfunduar në Gjeorgji, ndaj së cilës Federata Ruse ka vendosur sanksione për importet e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Më 25 janar 2011, Ministri i Ekonomisë dhe funksionar i Partisë Social-Demokrate Vladimir Kavariç, ka nënshkruar Certifikatën me nr. 1001-2010-170 / 5 për eksport armësh dhe pajisjesh ushtarake në favor të entit eksportues MDI (Montenegro Defense Industry), kompani shtetërore e Malit të Zi për tregtinë e armëve dhe me drejtor ekzekutiv serbin Zoran Damjanoviç, shkruhej në një dokument të botuar nga “Dan”.

1.200.000 dollarë

Sipas dokumentit, MDI-ja duhej të eksportonte në Republikën e Shqipërisë 10.000 copë raketa dore M80 “zolja”, sipas kontratës nr 6630/10 të datës 15 tetor 2010, të lidhur me kompaninë ushtarake MEICO, kontratë me vlerë 1.200.000 dollarë. Sipas dokumentit të nënshkruar nga Damjanoviç-i, raketat “zolja (“grenza”) që do t’i shiteshin firmës shqiptare do të merreshin “nga depot e ushtrisë së Malit të Zi në afërsi të Nikshiqit”.

Pastaj, në dokumentin e Ministrisë së Ekonomisë thuhej se përdoruesi i fundit (end-user) ishte “Republika e Shqipërisë”.

Nga ana tjetër, po sipas “Dan”-it, MEICO nënshkroi kontratë me kompaninë “Zahen Limited” në Qipro (me adresë: 1 Thermopylon, 6023, Larnaca, Cyprus), e cila më pas paraqet një certifikatë të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjeorgjisë për importin e 10.000 copa raketë granatahedhëse portative M80 “zolja”.

Sipas kontratës midis MDI-së dhe MEICO-s, Shqipëria merrte përsipër që 20 për qind e shumës totale të paguhej paradhënie, dhe 80 për qind para dorëzimit. Çmimi nuk përfshinte transportin e mallrave, koston e magazinimit në Shqipëri.

Mali i Zi: Shitur në rrugën ‘4 shkurti” Tiranë

Nga ana tjetër, si Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi dhe firma shtetërore MDI kanë mohuar falsifikimin e dokumenteve, duke ia lënë përgjegjësinë Shqipërisë (MEICO) nëse raketat kanë përfunduar në Gjeorgji.

Ministria e Ekonomisë njoftoi se kompania "MDI" Ltd e Podgoricës më 27 dhjetor 2010 paraqiti një kërkesë për një licencë eksporti të raketave 64 mm “zolja” (raketa-hedhës portativë M80) në sasi prej 10.000 copë, për llogari të “Meico” Rr. “4 Shkurti”, Tiranë-Shqipëri

Ministria e Ekonomisë thotë se licenca për eksportin e 10.000 copë raketave M80 “zolja” lëshuar kompanisë “Montenegro Defense Industry”, është në përputhje me ligjin, mbi bazën e një certifikatë të vlefshme importi ndërkombëtar nga autoriteti kompetent i Republikës së Shqipërisë, që mban përgjegjësinë për trajtimin e këtyre mallrave, “Autoriteti i Kontrollit Shtetëror i Eksporteve” (AKSHE) pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.

Shqipëria: Licencë po, realizim jo

Ndërkohë “Dyrrah”-u ka konsultuar Raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për vitin 2011, si dhe tabelat për eksportet e liçensuara dhe të realizuara për vitet 2008-2011” (akshe.gov.al/Raporti-vjetor-mbi-kontrollin-e-eksporteve-per-2011.Pdf).

Në tabelën “Eksportet e licencuara dhe të realizuara në periudhën 1 janar 2011-31dhjetor 2011” shkruhet se në Republikën e Gjeorgjisë, për periudhën 21.4.2011-20.04.2012 eksporti i raketave 64 mm ZOLJA 10.000 copë ka pasur zero realizim për periudhën e vlefshmërisë së licencës.

Megjithatë, mbeten zona të errëta.

Histori e ngatërruar

Një gjë evidentohet në këtë histori të ngatërruar:

shtypi malazez akuzon qeverinë e vet për kontrabandë armësh me Gjeorgjinë duke falsifikuar dokumentin se gjoja raketat serbe ia ka shitur Shqipërisë;

qeveria malazeze dhe firma e licencuar pretendojnë se përgjegjësinë e ka Shqipëria;

Tirana thotë se nuk ka bërë eksport raketash në Gjeorgji dhe pse ka dhënë licencë;

Gjeorgjia thotë se kontrata me firmën qipriote është bërë me MEICO-n qysh në prill 2008.

Podgorica lë të kuptohet se armët janë çuar vërtet në Gjeorgji nga MEICO, por jo nga ajo.

“Dyrrah” disponon një dokumentacion të gjerë për këtë aferë që do t’u bëjë të ditur lexuesve në të ardhmen.

Sot po bëjmë publike këto dokumente:

1.     Faksimile e certifikatës së përdoruesit fundor lëshuar më 18 tetor 2010 nga ministria e Mbrojtjes e Gjeorgjisë

2.     Faksimile e kontratës së nënshkruar më 6 dhjetor 2010 midis “Meico”-s dhe kompanisë “Zahen Limited” në Qipro për shitjen e raketave të supit për Gjeorgjinë.

3.     Faksimile e kontratës së lidhur më 15 tetor 2010 midis kompanisë serbo-malazeze MDI dhe MEICO-s për shitje-blerje raketash supi

4.     Faksimile e licencës së eksportit nënshkruar nga ministri malazez i Ekonomisë më 25 janar 2011, ku autorizohej shitja e raketave nga firma MDI e serbit Damjanoviç për llogari të MEICO-s.

5.     Foto e raketës serbe “zolja” (grerëza), shitur MEICO-s nga kompania malazeze MDI për llogari të firmës së Qipros, ndërmjetëse e Gjeorgjisë.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/