Tre vajza të reja u vranë dhe u masakruan në një transmetim LIVE në Instagram nga trafikantët e drogës në Argjentinë. Siç raportojnë mediat e huaja autorët i prenë gishtat 15-vjeçares Lara Gutierrez, vranë 20-vjeçaren Morena Verdi duke i vënë një qese në kokë për t’i shkaktuar mbytje ndërsa Brenda Del Castillo 20 vjeç u gjet e vdekur me kafkën e thyer dhe barkun e hapur.

Gjithashtu raportohet se motivi i krimit brutal ishte akuza kundër tre vajzave se kishin vjedhur 4 kilogramë kokainë. Trafikantët e drogës fillimisht ftuan vajzat në shtëpinë e tyre, në një “festë dashurie” për të cilën secila vajzë do të merrte rreth 300 euro si shpërblim.

Po ashtu theksohet se një shtetas peruan, i cili besohet se është larguar nga Argjentina është identifikuar si kreu i bandës që dyshohet se urdhëroi “vrasjet për hakmarrje” si një “masë parandaluese” për të tjerët. Herën e fundit që tre viktimat u panë gjallë ishte nata e së premtes së kaluar, ku ato u panë duke hyrë në një automjet vullnetarisht, pasi ishin ftuar nga trafikantët e drogës. Deri më tani janë bërë 4 arrestime, ndërsa automjeti në të cilin udhëtonin vajzat u gjet i djegur 100 metra larg shtëpisë ku u gjetën trupat e tyre

Autoritetet kanë konfirmuar se skenat e tmerrshme ishin filmuar dhe transmetuar drejtpërdrejt në internet. Pavarësisht raportimeve fillestare nga shumica e mediave argjentinase që sugjeronin se torturat dhe vrasjet e tmerrshme u transmetuan drejtpërdrejt në TikTok, ata më vonë identifikuan Instagramin si platformën e mediave sociale ku u transmetua.