28 maj 2015 – Një italian është kapur në flagrancë me armë zjarri në makinë, ditën e djeshme në Portin e Durrësit.
Shtetasi italian është Gino Negro, 32 vjeç, i cili u kap në pikën e kontrollit te automjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, dhe kishte si destinacion Italinë. Në automjetin e tij tip ‘Jeep’ me ngjyrë blu me targa ‘EV113WV’, u gjet një armë zjarri automatik tip kallashnikov dhe rreth 722 fishekë.
Pas konstatimit, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit vunë në pranga italianin, dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale automatikun, fishekët dhe makinën gjithashtu.
Për këtë ngjarje, veprimet hetimore po kryhen nga Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/