SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë shtetas të huaj, pasi dyshohen për trafikim personash dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Të pandehurit janë Nazar Khamuili, Mark Pettenko, Karoë Oskiera, Oleksander Tavoroski, Mariana Szrarevva dhe Oleh Kulsha. Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjashtë personat akuzohen se rekrutonin shtetas të huaj përmes aplikacioneve online dhe i sillnin në Shqipëri.
Pas ardhjes së tyre në vend, ata detyroheshin të punonin në aktivitete të paligjshme. Grupi kriminal u godit një vit më parë në qytetin e Vlorës. Gjatë bastisjes, policia gjeti disa ukrainas që punonin në kompjuter, të cilët përmes aplikacioneve kryenin aktivitete të paligjshme.
Hetimet nisën pas një denoncimi nga ambasada e Ukrainës, e cila informoi se një shtetas mbahej dhe detyrohej të punonte me dhunë. Një nga viktimat dëshmoi në gjykatë se ishte rekrutuar në Varshavë dhe ishte detyruar të kalonte edhe testin e poligrafit për të provuar se nuk ishte i lidhur me policinë apo median.
Personat e mbajtur me dhunë, kishin për detyrë të bindnin persona të tjerë të kryenin transport droge. Në mënyrë që qëndrimi i tyre të ishte i sigurt, atyre u merreshin pasaportat në mënyrë që të shmangej arratisja.





