Zbardhen detaje mbi të shkuarën e 37-vjeçarit Nuredin Dumani, për të cilin u lëshua sot një urdhër-arresti pasi akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Bujar Çelës, ngjarje e ndodhur më 17 shtator në zonën e Bradasheshit në Elbasan.

RRJETI I PROSTITUCIONIT

Dumani rezulton të jetë i përfshirë në një rrjet prostitucioni, grupi i të cilit u shkatërrua në vitin 2018.

Ishte pikërisht rrëfimi i një 18-vjeçareje nga Durrësi që është shfrytëzuar si prostitutë në Francë, e cila zbulloi rrjetin e trafikantëve, të cilët ishin nën hetim në Francë, Shqipëri e Itali.

Vajza me inicialet A.K, gjimnaziste në një shkollë në qytetin bregdetar, vendosi t’u shpëtojë trafikantëve, duke u hedhur mbi një makinë policie në Bordo, Francë. 
Më pas ajo mori statusin e viktimave që mbrohen nga shteti dhe rrëfeu gjithçka dinte para autoriteteve.

“Isha në shkollë kur një shoqja ime më foli për Nuredin Dumanin, më tregoi se ai donte të martohej shprehet vajza e trafikuar. Vajza tregon se ka vazhduar komunikimin me Nuredin Dumanin përmes rrjetit social Facebook. Ai më thoshte që jetonte në Belgjikë dhe se më të jeta ime do të ndryshonte. Duhet të zgjedhësh o familjen, o djalin. Më dha ultimatum babai dhe unë zgjodha familjen. Pikërisht në këtë moment kanë filluar edhe kërcënimet për jetën. Ai fotografoi motrën time 3-vjeçare dhe më kërcënoi”, rrëfehu asokohe vajza.

“Do ta vras motrën, po nuk u martove me mua”, mësohet ta ketë kërcënuar Dumani 18-vjeçaren.

“Pas një vargu kërcënimesh udhëtova drejt Francës me mendimin se po martohesha, por brenda javës përfundova në rrugë”, vijonte dëshmonë e saj adoleshentja.

Vajza mundi t’i shpëtojë rrugës vetëm më 20 mars 2017, kur ajo u hodh para makinës së policisë franceze në Bordo.

Autoritetet franceze u përcollën Krimeve të Rënda rrëfimin e vajzës dhe hetimi i mëtejshëm i autoriteteve shqiptare, shpëtoi edhe dy vajza të tjera në Shqipëri, që ishin gati ta trafikoheshin në të njëjtën mënyrë, por kësaj here në Itali.  

Në pranga në Shqipëri ranë 3 persona, në Francë 2 persona, i akuzuari si tutor Nuredin Dumani dhe një taksist.

VRASJA E VËLLEZËRVE HAXHIA NË DURRËS

Nuredin Dumani nga Kavaja rezulton i shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve nga Puka, Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 prill 2020 si dhe dy personave të tjerë në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 mars 2020,  në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.

Për këtë ngjarje në kërkim është dhe elbasanlliu Talo Çela, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla. Ky i fundit në cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës.

Alla, veç tregimit të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit.

Sipas rrëfimit të Klevis Allës, ditën e ngjarjes së vrasjes së dy vëllezërve Haxhia, ai ka qenë shofer të një automjeti “Toyota” të vjedhur. Ndërsa Altin Ndoci, ka qenë me armë kallashnikov në sediljen e parë të makinës.

Ndërsa në sediljen e pasme kanë qenë të pajisur me dy kallashnikovë, Nuredin Dumani dhe Talo Çela.

Gjithmonë sipas Klevis Allës, ata kanë mbajtur në mbikëqyrje dy vëllezërit dhe sapo objektivi i tyre është larguar nga prona e tyre “Echange” në Durrës, ata i kanë ndjekur nga pas dhe i kanë qëlluar.

Dy personat që i kanë qëlluar ishin Nuredin Dumani dhe Talo Çela, ndërsa sipas bashkëpunëtorit Altin Ndoci, nuk ka hapur zjarr.

GRABITJA E RINASIT

Në rrëfimin e tij, Klevis Alla, tregon se shkak i motivit të vrasjes beson se është bërë një shumë parash, që Talo Çela e kishte vjedhur në grabitjen e famshme të Rinasit. Kjo sasi lekësh e papërcaktuar nga dëshmitari Alla, ishte lënë për ruajtje nga Talo Çela në servisin e dy vëllezërve Haxhia, por më pas sasia e lekëve ishte zhdukur.

Dyshohet se dy vëllezërit Haxhia, i kanë pohuar Talos, se i kishte ndodhur një grabitje në servis dhe hajdutët veç materialeve të tjera, kanë marrë dhe sasinë e parave. Por me sa duket një alibi të tillë nuk e ka besuar Talo Çela, i cili edhe pse në arrati ka filluar të bashkëpunojë me Nuredin Dumanin, Klevis Allën dhe Altin Ndocin, duke kryer vrasjen e dy vëllezërve Haxhia. Ndërkohë disa muaj para vrasjes së dy vëllezërve, sipas dëshmitarit Alla, ata të katërt kanë vrarë dhe dy persona në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdylin, ku ende nuk dihet me saktësi se cila ka qenë motive i këtij krimi.

VRASJA E BUJAR ÇELËS

Në orët e para të mëngjesit të 17 shtatorit u ekzekutua teksa pinte kafen e mëngjesit vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela.

Të paktën 20 plumba janë shtënë ndaj 50 vjeçarit, nga të cilët 4 prej tyre i ka marrë në trup duke e lënë të vdekur në vend. Ekzekutimi është kryer rreth orës 05:45 gjatë kohës që viktima po konsumohet kafen në lokalin që e frekuentonte çdo ditë, ku dhe qëndronte me automjetin me të cilin punonte si taksist pa licencë.

Autorët, të cilët sipas hetuesve dyshohet të kenë qenë 3 persona, kanë ndjekur itinerarin nga rrethrrotullimi i Bradasheshit për tek lokali ku dy prej tyre kanë zbritur sapo kanë parë shënjestrën.

Ngjarja u fiksua nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë zbuluar edhe Nuredin Dumanin si pjesëmarrës në vrasje. /ORA NEWS