Një 25-vjeçar shqiptar rrezikon të dënohet me 36 muaj burg për trafik droge, pasi u arrestua në aeroportin e Brukselit me 21.5 kilogramë kanabis në bagazhin e tij. Kërkesa për dënim u bë të hënën nga Prokuroria e Halle-Vilvoorde, shkruajnë mediat belge.
Sipas autoriteteve belge, i riu mbërriti më 30 shtator në Aeroportin e Brukselit me një fluturim nga Bangkoku, kryeqyteti i Tajlandës. Gjatë kontrollit rutinë, doganierët zbuluan sasinë e konsiderueshme të kanabisit në valixhen e tij, duke çuar në arrestimin e menjëhershëm.
‘Mënyra e veprimit është e qartë. I pandehuri i pranoi menjëherë faktet dhe deklaroi se ndodhej në vështirësi financiare,’ deklaroi prokuroria. Sipas saj, 25-vjeçarit i ishin premtuar 5.000 euro për realizimin e këtij transporti të paligjshëm. Për këtë arsye, organi i akuzës kërkoi një dënim me 36 muaj burg.
Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi lehtësim të masës së dënimit. Avokati i të riut tha se klienti i tij kishte pasur për disa vite një aktivitet privat në Shqipëri, për të cilin kishte marrë kredi, por ishte detyruar ta mbyllte biznesin dhe kishte rënë në vështirësi ekonomike.
‘Ai ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet, ka pranuar menjëherë fajësinë dhe në telefonin e tij janë gjetur të dhëna që çojnë te porositësi i këtij transporti,’ theksoi avokati, duke kërkuar që një pjesë e dënimit të jepet me kusht.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 26 janar.





