ITALI, 20 shkurt 2013– Autoritetet e policisë italiane kanë vënë në pranga dy shqiptarë në Torino duke i akuzuar për trafik njerëzish dhe falsifikime.
Mediat e Italisë bëjnë me dije se janë arrestuar dy shqiptarët, ndërsa 28 të tjerë janë në hetim.
Grupi kriminal akuzohet se prodhonte dokumenta false për shqiptarë që donin të udhëtonin në Britani të Madhe, të cilat i shisnin së bashku me biletat e avionit.
Organizata ishte aktive në Italinë veriore. ANSA-s bëri me dije se falë aksionit të policisë së Torinos sot ajo është shpërbërë.
Policia njoftoi se ka arrestuar 2 shqiptarët identiteti i të cilëve nuk është bërë me dije. Në këtë aksion, mësohet se janë shpallur në kërkim 28 të tjerë, 16 prej të cilëve janë përdorues të shërbimit që ofronte organizata.
Grupi kriminal ndihmonte fillimisht “klientët” të vinin në Itali dhe më pas u ofronte atyre shërbimin e tyre për në Britaninë e madhe.





