Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 2 persona të cilët akuzohen për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-F. P., 37 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

-L. Xh., 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. 34-vjeçari me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Këta shtetas u kapën në flagrancë në bulevardin “Qemal Stafa”, duke udhëtuar me automjetin tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin F. P. dhe pasagjer shtetasin L. Xh.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një shkop metalik me hapje, lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe kanabis, të ndara në doza gati për shitje.

Gjithashtu u sekuestruan automjeti, 3 aparate celularë dhe një shumë parash në euro dhe lekë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore.