Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lux 2022”.

Operacioni kulmoi me procedimin penal të tre shtetasve të cilët dyshohet se trafikonin mjete të vjedhura nga vendet e BE.

Në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasit B. S., E. N. dhe E. K., të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Z. D., banues në Maqedoninë e Veriut.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 automjete të trafikuara, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këto automjete u janë nënshtruar ndërhyrjeve dhe modifikimeve në numrat e shasisë apo paketat elektronike dhe më pas janë tregtuar te persona të ndryshëm.

Vijon puna për dokumentin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas.