Një 48-vjeçar i dyshuar për trafik të qenieve njerëzore me dokumente false nga Shqipëria për në Greqi kundrejt pagesës, ka mundur t’i shpëtojë arrestimit të Policisë, ndërsa në pranga ra emigranti që do kalonte kufirin.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme Korçë, njoftuan sot (13 shkurt), se referuan materialet në Prokurori për O. A., 38 vjeç, banues në fshatin Malinat, Berat, për veprat penale “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
“në kërkim u shpall F. Sh., 48 vjeç, banues në fshatin Trestenik, Devoll, për veprën penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar këta dy shtetas, mbi fshatin Trestenik, Devoll, dhe iu kanë bërë thirrje për të ndaluar. Shtetasi F. Sh. nuk i është bindur urdhrit, por është larguar me shpejtësi. Shtetasi O. A., pasi u ndalua nga Policia, deklaroi se shtetasi F. Sh. do ta ndihmonte për të kaluar kufirin grek, në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës 100 euro”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.
Gjatë kontrollit fizik, 38-vjeçarit iu gjet një pasaportë me vula të dyshuara false.
Dosja i kaloi prokurorisë vendore, teksa po hetohet për një rrjet të mundshëm kriminal.





